“Pafundësia” e Masha Kolanoviqit, të vërtetat e njeriut të sotëm - Gazeta Express
string(61) "pafundesia-e-masha-kolanoviqit-te-vertetat-e-njeriut-te-sotem"

Arte

Gazeta Express

09/11/2021 12:43

“Pafundësia” e Masha Kolanoviqit, të vërtetat e njeriut të sotëm

Arte

Gazeta Express

09/11/2021 12:43

Vepra “Pafundësi” e Masha Kolanovic vjen e përkthyer në shqip nga Xhelal Fejza. Ky botim i shtëpisë botuese “Dituria” befason, por edhe të kënaq për hyrjen në sistemin tonë letrar të një shkrimtareje të tillë, që shkruan thjesht, duke treguar të vërtetat e njeriut të sotëm

Nga Gëzim Puka

Lexo Edhe:

Për syrin tim, në vepër rrëfejnë zëra romantikësh të trembur, që kanë humbur lidhjet ose sforcohen të jetojnë me një botë, në gjirin e së cilës ka gjithnjë e më pak humanizëm. Është bota e tregut, industrisë dhe teknologjisë, që i bën edhe më groteske këto vende poetike apo personazhe, që rreken të shprehen përmes ironisë dhe satirës.

Njerzillëku i humbur vjen përmes aktantësh të tillë, si: pensionisti që blen një celular; nëna e sëmurë terminale që blen online; disa afganë që ndodhen në Kroaci për një jetë më të mirë; brumbujt; një gjyshe e harruar në një cep provincial; një grua dhe një nënë e tjetërsuar; një fëmijë që admiron kukulla Çernobili; reporterë të kronikës së zezë; konsumatorë të sfilitur në supermarket; insekte që u ngjajnë njerëzve; të mbijetuar nga agjenci sigurimesh etj.

Mbi të gjithë këta është rrëfimtarja e vetës së parë, e cila më duket se është në të njëjtën gjatësi vale me konceptin e Roland Barthes-it, për një autor që nuk është kush tjetër, veçse ai që shkruan si një “Unë” i lirë. Nuk është “Të Tjerët” që thonë “Unë”. Ky sinqeritet dhe ky vullnet për të mos u tjetërsuar edhe në rrethanat e një njëmendësie armiqësore ndaj lirisë, nuk i ka shpëtuar Masha Kolanovic-it. Arma apo teknika e ironisë i mban gjallë, i çliron dhe ngushëllon edhe lexuesit e saj.

Duke lexuar, mendimi m’u shoqërizua me idenë se ka një lloj ndikimi aktiv, e jo veç në titull, tek tregimi “Pafundësi”, që i ka dhënë titullin librit, me më të famshmen poezi të Xhakomo Leopardit “L’Infinito” (Pafundësi).

Së pari, është magjepsja prej teksteve letrare që depërtojnë në thellësitë e brendshme të njeriut. Në sipërfaqe lexojmë për një nënë të re, të trembur nga bota që e rrethon. Ajo sjell në jetë binjakët e saj dhe i ushqen pafundësisht me qumësht gjiri. Kështu heq dorë nga egoja e saj, për të ushqyer e rritur fëmijët. Nëna jeton indiferencën tërësore të familjarëve dhe shoqërisë. Kjo e sfilit dhe e shpie drejt vdekjes aksidentale me gjinjtë e mbushur plot me qumësht.

Ky tregim duhet lexuar në rrafsh simbolik. Nëna është mëdyshësia e njeriut të mendimit, të krijuesit, të letrarit në këtë kohë thellësisht prozaike, përballë kufishmërisë dhe pakufishmërisë së botës. Më ngushtësisht bëhet fjalë për përjetimin e vazhdueshëm apo lojën e vazhdueshme të përplasjes  mes asaj që shohim e ndiejmë dhe asaj që imagjinojmë, paraqesim dhe kujtojmë; një përjetim i vazhdueshëm, që e shtyn njeriun në kufijtë e epërm të mundësive të arsyes, duke parandjerë mbytjen, vdekjen.

Në poezinë e Leopardit shprehet një ekstazë ndjesish, të cilat zgjohen nga përvijimi figurativ i një çasti të pafundësisë.  Në fillim provohet frika, pastaj trullosja.

Tek Leopardi kemi vargjet e fundit:

“Cosi tra questa immensità

s’annega il pensier mio:

e il naufragar m’è dolce in questo mare”

(Kështu në këtë

Pafundësi, mendimi im zhytet

Ëmbëlsisht më vjen në këtë det të mbytem)[1]

Ndërsa finalja e tregimit të Masha Kolanovic vjen:

“E piu me fund birrën dhe u nis pa e ditur edhe vetë se për ku, nëpër rrugën që të nxirrte nga qyteti. Alkooli, pas një kohë të gjatë mungese, rridhte fuqishëm nëpër venat e saj. Ishte një ndjesi e bukur. Ndaloi për një çast e joshur nga kjo perspektivë e re. Sytë i kishte të zbrazur, horizonti para saj i rrafshët. Ndjehej e dobësuar për shkak të birrës dhe dalngadalë dhe u lëkund para automobilit që po i binte burisë si të ishte e çmendur. Ashtu e hutuar i dukej se rruga përpara të shpinte në pafundësi. Ndjeu se befas gjinjtë iu bënë të rëndë si dy topa të fortë. I erdhi në mend se është momenti i fundit që t’ua ndëpresë gjirin.

Ironikisht autorja mbërrin të krijojë tensionin më një poezi arketip, duke na dhënë mëdyshësinë e përmasës perceptive dhe psikologjike të njeriut modern, në krizë të vazhdueshme ekzistenciale. Këtu, pafundësia romantike kthehet në boshllëk. Drejt këtij boshllëku është prirja e njeriut të ditëve tona.

Kushdo mund të jetojë fare mirë edhe pa lexuar letërsi…Kushdo mund të bëjë çfarëdo…Por vështirë se do të gjesh në vend tjetër, veçse në thurje letrare, shtiza që të shpojnë dhe gudulisin kaq mirë vetëdijen tënde.

Përfundoj me një citim tjetër nga libri “Pafundësi” i Masha Kolanovic:

“Kaloi edhe vera e ngjitshme ditë pas dite dhe me këtë kalonte edhe koha. Instaluam kondicionerin që na vodhi veren. U bë ftohtë si varr. Për shkak të dritareve të mbyllura nuk dëgjoheshin bulkthat dhe as zhurmat nga rruga. Libraria përballë rrugës tashmë është piceri. Tërë qyteti është shndërruar në mensë”.

Po, po! Mund të gjallohet pa e lexuar edhe këtë Mashën, natyrisht…

Përkthyesi i përkushtuar Xhelal Fejza, po kontribuon dukshëm në prurjen e një prodhimi letrar të mirë nga gjuhët fqinje kroatisht dhe serbisht, duke e pasuruar kulturën tonë, si dhe duke e zhveshur atë nga fobitë jashtëletrare dhe paragjykimet.

[1] Sipas përkthimit të Maksim Rakipajt /Gazeta Liberale