Pacolli thotë se do t’i dorëzojë 10 mijë faqe material për krimet e luftës


Gazeta Express
10 Dhjetor 2019 14:26

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, përmes një konference për media, ka folur për krimet e kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë, derisa tha se brenda pak ditëve do të takohet me prokurorët në vend për të dorëzuar mbi 10 mijë faqe material e dokumente që dëshmojnë për krimet e kryera. Pacolli ka kërkuar nga BE-ja që të kushtëzojnë shtetin serb për t’i dorëzuar kryesit e këtyre krimeve, raporton Gazeta Express.

“Më 9 dhjetor është dita e përkujtimit të dinjitetit të viktimave të krimit të gjenocidit dhe parandalimit të këtij krimi, ajo që shënon përvjetorin e koventës të parandalimit të gjenocidit. Këtu Kosova deri në Bosnje dhe pjesë të tjera, asniherë nuk duhet të harrohet, mizoritë e së kaluarës, ne i kemi borxh viktimave kundër njerëzimit, ne ja u kemi borxh edhe vetvetes. Është një detyrim moral ndaj njerëzimit. Ne kemi borxh për të dëshmuar çdo gjë që është fshehur deri tani për të mbijetuarit, për familjet e viktimave”, ka thënë ai.

Ministri në detyrë thotë se nuk ka paqe të qëndrueshme pa drejtësi të vërtetë, derisa shton se Kosova deri para pak viteve nuk kishte as qasje në këto dokumente.

“Ne duam të bëjmë edhe një paralajmërim të qartë, nuk ka paqe të qëndrueshme pa drejtësi të vërtetë, drejtësia nuk njeh kufi etnik, nuk njeh kufi kohorë, ne kemi neglizhuar si shoqëri faktori ndërkombëtar na ka kushtëzuar, unë gjithmonë e kam pasur vetëdijen për peshën e krimeve të luftës, me vendosjen e drejtësisë dhe vendosjen e paqes.

Kosova nuk ka pasur asnjë qasje në dokumentet e krimit deri pothuajse tre katër viteve, kemi qenë nën administrimin e UNMIK-ut, qeveria jonë nuk ka mundur që të ketë qasje te këto ngjarje. Tani kjo kohë njerëzit tu u marrë me veten e partitë politike në një farë mënyrë e kanë lënë anash një ngjarje që e rëndë për njerëzimin dhe familjet e viktimave. Gjatë takimeve të mija jam ballafaqu gjithmonë me problemet e gjykatës ndërkombëtare të Hagës, është dashtë t’i durojë disa fjalë të cilave është dashur që të ju kundërvihem.

Kjo më ka bë të mendoj edhe më shumë në këtë drejtim. Të ju tregojmë botës që Kosova ka qenë viktimë e një okupatori”, thotë ai.

Pacolli ka përmendur edhe raportin e Dik Martit, derisa shton se në atë raport ishte punuar vetëm me një palë, atë serbe.

“Kam kërkuar akuzimin e Dik Martit për shpifje, që mos ta lejmë që të ec më tutje, po ta denonconim t’i thonim se ai ka punu vetëm me një palë, vetëm me serbët, jo me dëshmitarët e drejtë, asaj kohe kam pa se është një padrejtësi e madhe, sot duhet të ju them se kam qenë jashtëzakonisht i zemëruar që ne nuk ndërmorëm asgjë. Kam insistuar edhe te Sali Berisha që të ndërmerret diçka kundër thashethemeve të Dik Martit.  Gjatë punës jam përballë me shumë pyetje lidhur me dhomat e specializuara të Hagës, nëse duhet të jem i sinqertë me ju në çdo takim jam ballafaqu me këto pyetje dhe kam humbë një kohë të duhur shumë të rëndësishme duke ju shpjeguar se si ka ardhë deri te dhomat speciale të kësaj gjykate”, shton ai.

Në fund, Pacolli shtoi se do të takohet me prokurorë në vend për t’ua dorëzuar 10 mijë faqe material me prova për krimet e luftës.

“Pasi kam ardhë në kontakt me organet e prokurorisë kam vendosur që të depozitojë 10 mijë faqe material me prova për krimet e luftës së Serbisë në Kosovë, janë materiale që i kemi këtu, nuk ka pasur qasje askush nga Kosova këtu, që përshkruajnë ngjarjet në detaje, në ditët që vijnë këto do t’i dorëzohen prokurorëve tanë, janë dokumente praktikisht që nuk janë trajtu asniherë, siç kam mundur që të vërejë, 95% kriminelë që janë përmendë në këto dokumente, veprojnë dhe lëvizin lirshëm.

Në bashkëpunim me prokurorët kemi caktuar ditën për dorëzimin e tyre, shpresoj që prokurorët tanë të përgatitin një grup studiues, dhe të ecët më tutje me këtë dokumentacion.

Ne duhet ta kushtëzojmë BE-në që ta kushtëzojë Serbinë që t’i dorëzojë kriminelët e luftës së Kosovës”, tha ai. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart