Behgjet Pacolli në një postim në Facebook ka shkruar për “ziliqarët”, duke thënë se zilia është barrë që s’të lë të jetosh i qetë.
Ai ka shtuar se “ziliqari nuk buzëqesh, nuk gëzon”.
“Teksa isha ulur në një takim, i rrethuar nga njerëz të mirë e mendje të ndritura, sytë ishin nga folësi, por mendja më iku thellë… Një reflektim më përshkoi dhe ndjeva nevojën ta ndaj me ju, miq të dashur. Sa shpesh kemi parë dikë që gëzon për suksesin e tjetrit? Dhe sa shpesh kemi ndjerë një ftohtësi të pashpjegueshme në fytyrën e dikujt kur ne vetë arrijmë diçka të mirë? E vërteta është se zilia është një barrë që nuk të lë të jetosh i qetë. Ajo lind nga presioni që ndien kur sheh të tjerët të ecin përpara, dhe në vend që të motivojë, të shterrë. Ziliqari nuk buzëqesh, nuk gëzon – madje edhe përpiqet të qortojë atë që është mirë, vetëm pse nuk është ai në vendin e atij tjetrit.”
Sipas Pacollit, edhe Zoti ia mbyll dyert atij që nuk di të gëzohet për sukseset e të tjerëve.
Ai ka thënë se duhet të gëzohemi për sukseset e tjetrit.
“Por më e dhimbshmja është se edhe vetë Zoti ia mbyll dyert e suksesit atij që nuk di të gëzojë për të tjerët. Sa më shumë inat ndaj suksesit të dikujt, aq më shumë dyerë të mbyllura në jetë. Ndaj, nga zemra, e them këtë: Hapni dyert e zemrës suaj! Gëzohuni për suksesin e tjetrit, sepse kur festojmë për të tjerët, Zoti na jep arsye të festojmë edhe për veten. Kjo është një e vërtetë e jetuar. Kështu afrohemi. Kështu duhemi.”