Prokurori James Pace gjatë deklaratës përfundimtare të Prokurorisë prezantoi një hartë në të cilën paraqiten pikat e vendeve ku pretendohet se janë mbajtur të ndaluar shumë persona, janë torturuar dhe janë vrarë.
Ai tha se pasqyron 437 incidente për të cilat janë ngritur akuzat të ndalimit të cilat kanë ndodhur në mes prillit 1998-ës dhe gushtit 1999.
Ai tha e pjesa më e madhe e tyre ishin civil që nuk merrnin pjesë në konflikt të armatosur.
Pace tregoi edhe për vendin e ndalimit në Jabllanicë për të cilin tha se gjendje afër Shtabit të UÇK-së, afër shtëpisë së Lahi Brahimajt.
Ai shtoi se prova shkresore tregojnë dhe konfirmojnë dëshmitë e dëshmitarëve për krimet për të cilët janë ngritur akuzat.
Ai përmendi që të ndaluarit janë mbajtur për periudha të ndryshme kohore duke përmendur që në Llapashticë ka persona që janë ndaluar me 5 javë e deri në katër muaj.
Ai përmendi edhe kushtet çnjerëzore që pretendohet se janë mbajtur të ndaluarit edhe në Llapushnik duke shtuar se ka pasur deklarata që një person kishte humbur deri ne 38 kilogramë gjatë kësaj periudhe.
“Një prej të ndaluarve përshkruan kushte kaq të ashpra sa që mendoi se vdekja do të kishte qenë opsion më i mirë. Një tjetër i ndaluar e var vetën derisa mbahej i ndaluar”, tha Pace.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi