Pabarazia në Shqipëri dhe rezistenca e “elitave” - Gazeta Express
string(46) "pabarazia-ne-shqiperi-dhe-rezistenca-e-elitave"

OP/ED

Gazeta Express

28/07/2025 15:14

Pabarazia në Shqipëri dhe rezistenca e “elitave”

OP/ED

Gazeta Express

28/07/2025 15:14

Shkruan: Ben Andoni

Shqipëria është vendi ku pabarazia të godet në çdo moment dhe të prek ngado. Goditjet e viteve të fundit të SPAK-ut dhe sekuestrimet e shumave të mëdha të parave janë vetëm një dritare, ku ne shohim të materializuar pabarazinë skajore në vend. Pasuri të frikshme të krimit (pjesa më e madhe ardhur nga hiçi) dhe të zyrtarëve, të cilat nuk justifikohen dot as me moshën, rrogat, përfitimet e as me tagrin shtetëror dhe as me punët e nivelin intelektual, na përplasen para syve për çdo ditë.

Të kërkosh barazinë e mundësive në Shqipëri është po kaq paradoksale saç ndodhi me pak individë nga klasat e të pasurve që kërkonin mirëkuptim nga regjimi komunist i pas-Luftës së Dytë Botërore. Drejtorokracia që e goditi kryeministri me një hyrje alla Ramë ishte një aspekt se ku arrin sot papërgjegjshmëria, por edhe të shtang papërgjegjshmëria dhe pasuria e ofiqarëve të administratës. Kësaj i shtohet luksi fals i vajzave dhe njerëzve të show dhe i çdo lloj turboje tjetër që na e përshfaq pabarazinë në një aspekt tjetër, ku krimi jeton me hilen, shfaqjen kallpe në media dhe kinse pasurinë e vajzave që na presin rrugën çdo ditë në kryeqytet me supermakinat.

Kjo e fundit është modeli më i ndyrë (fryrë dhe nga kolegë), kur mendon përkorja e shoqërisë shqiptare dhe sakrificën e madhe të brezave të tërë shqiptarësh për një lloj barazie dhe demokracie. Në fakt, studiuesi Piketty e pranon se është rrugë e gjatë për vendosjen e barazisë, por ndërsa në vende ku kapitali është zot kërkon aksione të mëdha emancipuese nga pushteti dhe përpjekje të vazhdueshme nga poshtë prej popullit, tek ne po triumfon anarkia dhe mungesa e çdo lloj morali dhe mungesa e angazhimeve. Padrejtësia është kudo. Barazia pakkund.

“Kërkimi i demokracisë ideale, që nuk është gjë tjetër veçse prirje drejt barazisë politike, prirje drejt barazisë në të gjitha format e saj (sociale, ekonomike, arsimore, kulturore, politike) është një proces ende në vazhdim dhe i papërfunduar”, – shkruan tek “Histori e shkurtër e Barazisë”, Thomas Piketty.

Shqetësimi për vendin ku po jetojmë lidhet me mënyrën sesi po ndahet pasuria, por edhe pse jeta e njerëzve të thjeshtë dhe e klasës së mesme po bëhet kaq e vështirë. Ndaj largimi në masë është vetëm një aspekt, kurse apatia e përgjithshme dhe humbja e shpresës e bëjnë një nga kombet më vitalë dhe ish-rinorë si Shqipëria tashmë të kërruset krejt nga dhimbja.

Ekonomistët e vendosin thelbin te sistemi fiskal, politikanët te reformat ndaj informalitetit dhe ndihmës për turizmin dhe infrastrukturën, që çdo vit po zhgënjejnë. Për këtë të fundit të mjafton realiteti i shkuarjes në Shkodër të kuptosh paradokset, por Rama dhe të tijtë vazhdojnë me ëndrrën evropiane të vitit 2030, kurse opozita është dorëzuar tashmë edhe në narrativë. Cinizmin e dorëzimit e gjen tek deputetët e saj në parlamentin e ri që e shprehin hapur, madje edhe me një sintaksë të mjerë rrugësh.

Paradoksalisht, ekonomia rritet ndërsa pabarazia po ashtu. Statisticienët e dinë mirë se PBB-ja s’është tregues absolut për zhvillimin. Të dhënat e fundit nga Eurostat e ngrenë edhe më shumë alarmin: Shqipëria rreshtohet në vendin e parë në Evropë për përqindjen e popullsisë në rrezik varfërie dhe përjashtimin e thellë social. Rreth 42% e popullsisë shqiptare (referim i vitit 2023), “pothuaj mbi 1 milion qytetarë jetojnë në kushte të varfërisë së rëndë, të paaftë për të përballuar të paktën 7 nga 13 tregues të privimit ekonomik dhe social, si pagesat e qirasë apo kredive, pushimet minimale vjetore, ushqimi bazë, ngrohja, ose ndërrimi i mobilieve të vjetra”, referon Altax.al.

Në të njëjtin vlerësim, situata është tejet e vështirë për ne krahasuar me vendet e tjera në Ballkan: Mali i Zi (34.1%), Maqedonia e Veriut (32.6%), Serbia (30%) – shifra që tregojnë se Shqipëria e ka imediate rikonceptimin rrënjësor të politikave ekonomike dhe fiskale. Po ashtu, vendi ka nevojë për zhvillim të qëndrueshëm dhe jo si më sot me pabarazi të theksuar, me mungesë reformash dhe me një sistem fiskal që shpërndan jo drejt, mendojnë specialistët. Këta të fundit theksojnë se: vendi ynë mbetet një shembull domethënës i një sistemi fiskal që, në vend t’i zbusë pabarazitë, shpesh i përforcon.

Referuar raportit “Barra Tatimore në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor 2024”, vendi ynë ka një nga strukturat më regresive të taksimit në rajon, me një ndikim modest në uljen e pabarazisë dhe varfërisë. Kësaj i shtohet informaliteti në çdo gjë dhe pasiguria në tregun e punës. Të mendosh se edhe në institucione shtetërore, punonjësi nuk merr pagesat siç duhet (Referimet për Air Albania mes të tjerave) konform kontratave, atëherë kupton se pabarazia në Shqipëri është tashmë një normalitet. Dhe, kësaj i bashkohet kaosi sesi po menaxhohet vendi ynë ose mungesa e prioriteteve: Nuk merr fund problemi i ujit të pijshëm në vend, që me ngrohjen globale do përcjellë edhe më shumë vështirësi për popullatën, veçanërisht atë të varfrën. Betonizimi i madh i kryeqytetit dhe i disa qyteteve kryesore po zhduk çdo individualitet të Tiranës and & co kurse zvogëlimi i hapësirave të gjelbra po manifestohet në shëndetin e jetës së përditshme; kanalizimet dhe përpunimi biologjik i ujërave të zeza mbeten më shumë se shqetësim; ndotja e ajrit në Tiranë dhe qytetet kryesore ka kuota alarmante; kurse ndotja akustike në Tiranë ka kapur nivele të paimagjinueshme, madje edhe në orët e shenjta të prehjes biologjike (natën se dreka nuk llogaritet më); shtojmë mbrojtjen e lumenjve nga inertet dhe derdhjen e tyre në Adriatik; e shtuar edhe akset kryesore të vendit të amortizuara frikshëm…

Të gjitha (ka edhe më) si faktorë peshojnë në këtë pabarazi të madhe.

Pabarazia e të ardhurave në vendet e Evropës Lindore është kudo e dukshme, por ndryshon me vende si Shqipëria dhe Kosova që e përjetojnë këtë në nivele më të larta se të tjerat. Starti demokratik pas komunizmit nuk ishte i njëllojtë, kurse kudo u pa një rritje e pabarazisë së të ardhurave ndërsa ekonomitë e tregut u zhvilluan. Qeverisja e atëhershme e PD-së ka lënë ende pasoja që qeverisjet socialiste i shumëfishuan. Ndërkohë është e habitshme se vende me elita politike shoqërore, që kanë treguar probleme, siç është rasti i Bullgarisë dhe Rumanisë kanë pabarazi më të lartë, krahasuar me vende të tjera më të kujdesshme si Sllovakia dhe Çekia, të cilat ruajnë nivele relativisht më të ulëta pabarazie. Literatura rreshton një sërë faktorësh të tillë si: zhvillimi ekonomik, globalizimi dhe forca e shteteve të mirëqenies sociale që ndikojnë në këto trende.

Në të gjithë qerthullin shqetësuese mbetet mënyra sesi po sillet elita jonë politiko-sociale, ku për 35 vite u soll shumë keq me rishpërndarjen e pronës, një proces kompleks i ndikuar dhe nga momenti historik, manovrimet politike, të cilat kanë lënë me gisht në gojë shumë nga pronarët realë. Pasojat mijëra të vrarë. Ndërkohë që një sërë nga kinse elitat tona shfrytëzuan paqartësitë dhe boshllëqet ligjore për të mbrojtur asetet e tyre ekzistuese ose për të fituar të reja gjatë privatizimit, shpesh në kurriz të përfitimeve më të gjera shoqërore. I kemi pasur para syve sesi, manovra strategjike dhe ndikimi politik shpesh çuan në korrupsion dhe nepotizëm, ku shumë nga “elitat” përfituan dukshëm në kurriz të publikut. Ndërkohë, Shqipëria vazhdon ende deri me problemet me regjistrimin e pronës, pretendimet e mbivendosjes të tokës dhe mospërputhjet midis bazave të të dhënave të tokës.

Por zgjidhja shpesh komplikohet, kurse trashëgimia e kësaj rezistence të elitës së sotme vazhdon ta formësojë peizazhin socio-ekonomik të rajonit, në një trend që e gjen në literaturë edhe për vende të tjera të Ballkanit. Shqipëria politike (dhe prej më pak se 20 vitesh dhe Kosova) duhet ta lerë argumentimin bosh të politikanëve dhe të rrugëtojnë drejt barazisë, po për këtë i duhet shteti social dhe taksimi progresiv, bash gjëra që klasa politike “bën sikur nuk i di”. Ndërkohë, duhet të jetë pak më e kujdesshme me kinse pasunarët, të cilët po përfundojnë në SPAK dhe sidomos indiferencën ndaj barazisë. Atë që na shfaq një klasë të pamëshirë ndaj dy klasave të tjera dhe rezistencën e një kinse elite që ka mbërthyer gjithçka në vend. (Homo Albanicus)