Mesfushori i Manchester Unitedit, Fred, beson se kolegu i tij Bruno Fernandes është frymëzim që të tjerët në skuadrën e Djajve të Kuq duhet ta ndjekin dhe ia ka dhënë portugezit meritat për transformimin e formës së klubit anglez.
25-vjeçari ka ndikuar shumë në skuadrën e Manchester Unitedit që nga transferimi i tij nga Sporting Lisbona në janar, duke u ndihmuar Djajve të Kuq ta arrijnë një ecuri prej 11 ndeshjeve pa humbje dhe duke e fituar çmimin e Premierligës për lojtarin më të mirë të muajit shkurt, transmeton Gazeta Express.
Fernandes ka arritur ta zë një vend menjëherë në Teatrin e Ëndrrave – duke i shënuar tre gola dhe duke i asistuar katër gola të bashkëlojtarëve në nëntë ndeshjet e tij të zhvilluara që nga transferimi.
Këto kanë bërë që Fred të jetë i bindur se pikërisht portugezi është arsyeja prapa formës së mirë të Manchester Unitedit gjatë kohës së fundit.
“Ne ishim në një fazë shumë të mirë, ishim duke u përmirësuar. Po bënim punë shumë të mirë në Premierligë dhe njëjtë edhe në Ligën e Evropës. Ne kishim gjasa ta fitonim trofeun e Ligës së Evropës para ndërprerjes”, ka thënë Fred.
“Grupi ynë u bashkua shumë në fund, ne filluam ta ndihmojmë njëri-tjetrin, i shihnim ndeshjet me sy tjetër dhe u përmirësuam shumë në fushën e lojës. Ne u bëmë më të mirë bashkë me ardhja e Bruno Fernandesit ishte shumë e rëndësishme për ne”.
“Ai i dha qetësi dhe e solli një ndryshim në mesfushën tonë. Por, ne duhet t’ia japim meritat edhe Ole [trajnerit] dhe të gjithë grup sepse me të vërtetë u përmirësuam shumë”. /Gazeta Express/