Pa zgjidhjen e liberalizimit të vizave, s’ka kuptim as vazhdimi i dialogut - Gazeta Express
string(72) "pa-zgjidhjen-e-liberalizimit-te-vizave-ska-kuptim-as-vazhdimi-i-dialogut"

Pa zgjidhjen e liberalizimit të vizave, s’ka kuptim as vazhdimi i dialogut

Gazeta Express

10/07/2020 7:32

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së pritet të rifillojë me 12 korrik.

Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, ka paralajmëruar se më 12 korrik përfaqësuesit politikë të Prishtinës dhe Beogradit do të takohen në Bruksel për të rifilluar dialogun.

Lexo Edhe:

Mirëpo, përveç zvarritjes së këtij procesi, Bashkimi Evropian ka dështuar edhe në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve integruese, Arben Fetoshi, ka thënë për lajmi.net, se pa zgjidhjen e çështjes së liberalizmit të vizave, as vazhdimi i dialogut nuk ka kuptim.

Sipas Fetoshit, përfshirja e Francës dhe Gjermanisë në këtë proces, jep shpresë që çështja e liberalizimit të vizave të përfundojë shpejtë.

“Në qoftë se BE-ja nuk e procedon çështjen e liberalizimit të vizave në Këshill, nuk do të ketë kredibilitet në rolin udhëheqës të dialogut Kosovë-Serbi. Angazhimi i Gjermanisë dhe Francës si lehtësues në këtë proces, rekomandimi i kahershëm i Komisionit Evropian e miratimi në Parlamentin Evropian, si dhe kërkesat së fundmi të eurodeputetëve drejtuar Gjermanisë si kryesuese e radhës së Këshillit dhe Francës e Holandës, mendoj se janë shenja për një vendimmarrje pa zvarritje të tjera dhe fundi i vitit është afat real për fillimin e lëvizjes së lirë të kosovarëve. Proceduralisht është e arritshme në qoftë se ekziston vullneti i shteteve anëtare, megjithëse ka kohë që BE-ja e ka përdorur këtë çështje si mjet presioni ndaj Kosovës”, ka thënë Fetoshi për lajmi.net.

Gjatë së mërkurës, i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke i dhënë mbështetjen amerikane BE-së për rifillimin e dialogut, ka kërkuar që në takimin e 10 korrikut të përfundohet çështja e liberalizimit të vizave.

E në lidhje me këtë, profesori universitar Arben Fetoshi, ka bërë të ditur se duke e parë presionin e SHBA-ve, ka shumë gjasë që liberalizimi të futet në agjendën e Këshillit të Ministrave për miratim brenda këtij viti.

“Sidoqoftë, bazuar në rrethanat aktuale që kanë të bëjnë me dialogun, nevojën e BE-së për kredibilitet në rolin e saj udhëheqës dhe në presionin e vazhdueshëm të SHBA-ve, jam optimist se liberalizimi do të futet në agjendën e Këshillit të Ministrave për miratim brenda këtij viti”, u shpreh Fetoshi.

Theksojmë se që nga 1 korriku kur Gjermania e ka marrë presidencën e BE-së për gjashtë muaj, zyrtarët kosovarë janë shprehur optimist se do të përfundojë liberalizmi i vizave këtë vit.

Mirëpo, edhe gjatë së martës më shumë se 40 deputetë të Parlamentit Evropian u kanë shkruar letra presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kryeministrit të Holandës, Mark Rutte, përmes së cilave kërkojnë që BE-ja të liberalizojë vizat me Kosovën.

Këta dy liderë të vendeve anëtare të BE-së, konsiderohen si kundërshtarët më të fuqishëm të liberalizimit të vizave me Kosovës, sepse vendet e tyre nuk e kanë mbështetur një vendim të tillë në Këshillin e BE-së.

“BE-ja është duke u përpjekur që të luaj rolin e një ndërmjetësi të paanshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, kjo nuk do të jetë e mundur nëse ne vazhdojmë t’i trajtojmë qytetarët e këtyre dy vendeve në mënyra të ndryshme, duke u ofruar udhëtim të lirë qytetarëve të Serbisë dhe duke u vendosur pengesa për të gëzuar të njëjtën mundësi atyre të Kosovës”, thuhet në këtë letër.

Kjo letër është bërë publike pikërisht në ditën kur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është takuar në Paris me presidentin Emmanuel Macron, dhe kur pritet rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë më 12 korrik në Bruksel.