Pas kritikave më të fundit të miliarderit Elon Musk ndaj projektligjit të presidentit amerikan Donald Trump për ulje taksash dhe rritje shpenzimesh, ky i fundit ka reaguar duke thënë se Departamenti i Efiçencës Qeveritare duhet të hetojë subvencionet që kompanitë e Musk kanë marrë, për të kursyer para publike.
Komentet e Trump vijnë pasi Musk u zotua se do të rrëzojë ligjvënësit që e mbështetën projektligjin, ndonëse kishin premtuar të kufizonin shpenzimet e qeverisë.
“Eloni mund të ketë marrë më shumë subvencione se çdo qenie njerëzore në histori, me shumë diferencë, dhe pa subvencione, Eloni ndoshta do të mbyllte kompanitë dhe do të kthehej në Afrikën e Jugut. Nuk do të kishte më lëshime raketash, satelitë apo prodhim makinash elektrike, dhe vendi ynë do të kursente një pasuri. Ndoshta duhet t’i kërkojmë DOGE-it që të hedhë një sy seriozisht mbi këtë çështje? Ka shumë para për të kursyer,” ka shkruar Trump në Truth Social, referuar Departamentit Federal të Efiçencës Qeveritare.
Ndërkohë, në përgjigje të postimit të Trump, Musk shkroi në X: “Unë po them t’i ndaloni të gjitha. Tani.”
Kujtojmë se Trump më herët kishte kërcënuar se do t’i hiqte subvencionet dhe kontratat qeveritare Musk-ut, pasi marrëdhënia e tyre u përkeqësua në një përplasje të ashpër në rrjetet sociale në fillim të qershorit, për shkak të projektligjit, për të cilin analistë jo-partiakë thonë se do të shtojë rreth 3 trilionë dollarë në borxhin kombëtar amerikan.
Dihet se bizneset e Musk përfshijnë kompaninë hapësinore të kontraktuar nga qeveria SpaceX, e cila ka rreth 22 miliardë dollarë kontrata federale, si dhe njësinë e saj satelitore Starlink.
Përplasja e Musk me Trump shkaktoi gjithashtu luhatje të mëdha për Tesla-n, duke humbur rreth 150 miliardë dollarë nga vlera e saj në treg më 5 qershor – rënia më e madhe në një ditë të vetme në historinë e kompanisë, edhe pse që nga ajo kohë është rikuperuar pjesërisht.
Që nga përplasja e parë me Trump, Musk ishte i heshtur për disa javë, deri të hënën kur deklaroi se ligjvënësit që kishin premtuar shkurtime buxhetore por mbështetën projektligjin “duhet të ulin kokën nga turpi!”
Musk gjithashtu përsëriti thirrjen për krijimin e një partie të re politike, duke thënë se shpenzimet e mëdha të projektligjit tregonin “se ne jetojmë në një vend me një parti të vetme”.
Kritikat e Musk përbëjnë një kthesë dramatike, duke qenë se miliarderi ka dhënë gati 300 milionë dollar për fushatën e rizgjedhjes së Trump-it dhe kishte udhëhequr iniciativën e diskutueshme të administratës së tij për ulje kostosh DOGE.
Musk ka argumentuar se legjislacioni do të rrisë ndjeshëm borxhin kombëtar dhe do të zhdukë kursimet që ai pretendon të ketë realizuar përmes DOGE. Ndërsa, aktualisht është e paqartë se sa ndikim ka Musk në Kongres apo çfarë efekti mund të kenë opinionet e tij në miratimin e projektligjit.