string(50) "pa-rroga-dhe-kontribute-infermieret-dalin-ne-rruge"

Maqedoni

Gazeta Express

30/05/2025 16:06

Pa rroga dhe kontribute, infermieret dalin në rrugë

Maqedoni

Gazeta Express

30/05/2025 16:06

Infermieret janë ankuar se nuk kanë asnjë përgjigje konkrete për problemin e tyre. E vetmja gjë që u është thënë, të mos i lëshojnë vendet e punës. Kërkesa e tyre është që të kenë vendime pune, pasi që më shumë se gjashtë vite punojnë pa kontribute të paguara

Ministrat e Shëndetësisë ndërrohen, drejtorët ndërrohen, kurse statusi i infermierëve dhe personelit teknik nuk zgjidhet për dekada me radhë. Të revoltuar nga kjo gjendje që zgjatë me vite, infermieret në Spitalin Klinik të Tetovës dolën në protestë. Krahas që nuk e kanë zgjidhur statusin e tyre, ata që tre muaj nuk kanë marrë rroga. Gjatë protestës ata mbanin mbishkrime ku shkruhej se nuk kërkojnë lëmoshë por vendime pune dhe paga. “Unë jam që nëntë vite me kontratë, më shumë se katër vite kam punuar pa kontratë pa asgjë. Nëse nuk zgjidhet statusi jonë, do të vazhdojmë të protestojmë. Ministrat ndërrohen, drejtorët ndërrohen por neve nuk na japin asnjë informatë, na thonë rini në vendin e punës, do të kryhet, por kur do të kryhet nuk e dimë”, thotë një infermiere.

Infermieret janë ankuar se nuk kanë asnjë përgjigje konkrete për problemin e tyre. E vetmja gjë që u është thënë, të mos i lëshojnë vendet e punës. “Që një vit jam pa rrogë, pa kontratë, pa vendim, pa asgjë. Një vit kam patur kontratë, tash nuk kam asgjë. Na kanë thënë mos e lëshoni vendin e punës, pa kontratë pa asgjë”, tha një tjetër infermiere.

Kërkesa e tyre është që të kenë vendime pune, pasi që më shumë se gjashtë vite punojnë pa kontribute të paguara. “Kërkojmë vendime pune, kemi kontributet e papaguara, që gjashtë vite punojmë kështu në këtë mënyrë”, ankohet një infermiere në Spitalin Klinik të Tetovës.

Me këto probleme përballen mbi 100 infermiere dhe personel mjekësorë të cilët pas protestës në ambientet e Spitalit Klinik të Tetovës, realizuan një takim me drejtorin, Agim Berisha. Ai nuk dha përgjigje se kur mund të zgjidhet statusi i këtyre infermierëve që me vite punojnë në këtë spital. “E drejta e tyre për protestë është e drejtë demokratike, por si grup është dashur të më njoftojnë. Unë pres brenda muajit të ardhshëm të zgjidhet kjo çështje”, tha Berisha.

Edhe pse gjatë tërë kohës kishte premtime se problemi i këtyre infermierëve do të zgjidhet që në fillim të muajit prill, megjithatë ende nuk ka asgjë konkrete përveç premtimeve. Rikujtojmë se pjesa më e madhe e këtyre infermierëve kanë punuar edhe gjatë kohës së pandemisë, duke ju dalë në ndihmë pacientëve.