Pa ndryshimet kushtetuese, nuk ka BE - Gazeta Express
string(35) "pa-ndryshimet-kushtetuese-nuk-ka-be"

Maqedoni

Gazeta Express

07/03/2026 10:53

Pa ndryshimet kushtetuese, nuk ka BE

Maqedoni

Gazeta Express

07/03/2026 10:53

Procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbetet i kushtëzuar nga ndryshimet kushtetuese, ndërsa paralelisht në skenën e brendshme politike po thellohen përplasjet mes partive për përgjegjësinë dhe drejtimin që po merr vendi. Mesazhet nga Bashkimi Evropian janë të qarta se pa përmbushjen e këtij kushti nuk mund të ketë përparim real në negociatat për anëtarësim, ndërkohë që në vend partitë politike e përdorin çështjen edhe për përballje të ashpra politike.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, e përsëriti qëndrimin e njohur të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian se ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për të vazhduar procesi i anëtarësimit të vendit në BE. Waitz këtë qëndrim e shprehu në një intervistë për agjencinë bullgare BGNES, duke theksuar se ky kusht nuk është subjekt i rinegocimit.

“Ndryshimet kushtetuese janë kusht për fillimin e negociatave reale të anëtarësimit. Ky është një kusht që lidhet me acquis-in evropian, që është legjislacioni të cilin çdo vend duhet ta zbatojë dhe ta respektojë. Respektimi i pakicave dhe komuniteteve është element themelor për çdo vend që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së. Në këtë kuptim, kjo është një temë shumë e rëndësishme. Shoh se nuk priten zgjedhje në Maqedoninë e Veriut vitin e ardhshëm. Mendoj se kjo na jep mundësi të shohim njëfarë përparimi. Shpresoj se do të shohim përparim, sepse ky është një kusht themelor dhe derisa këto ndryshime kushtetuese të mos zbatohen, për fat të keq nuk mund të fillojmë negociata efektive të anëtarësimit. Kjo është shumë e qartë. Këto janë konkluzionet e Këshillit dhe kjo është pjesë e kërkesave që Maqedonia e Veriut duhet t’i përmbushë”, theksoi Waitz.

Ai bëri të ditur gjithashtu se ka një komunikim të qartë me qeverinë e Maqedonisë së Veriut se ky kusht duhet të përmbushet dhe se nuk është objekt negociatash. Sipas tij, në European Parliament tashmë ka filluar procesi i harmonizimit të tekstit të raportit për Maqedoninë e Veriut, si dhe faza e amendamenteve nga deputetët.

“Kam kufizim për numrin e fjalëve që mund të përfshij në draftin e parë. Drafti i parë dhe gjatësia e tij përcaktohen nga rregullat këtu në Parlamentin Evropian. Tani të gjithë anëtarët dhe të gjithë raportuesit në hije janë të ftuar të propozojnë amendamentet e tyre. Ky proces negociatash sapo ka filluar dhe supozoj se do të vazhdojë deri në maj”, tha Waitz. Në të njëjtën kohë, në skenën e brendshme politike kanë vazhduar përplasjet e forta mes partive për përgjegjësinë e zhvillimeve politike dhe kursin strategjik të shtetit. Nga VMRO-DPMNE akuzojnë qeverisjen e mëparshme të LSDM se e ka larguar vendin nga standardet demokratike dhe e ka afruar me modele të qeverisjes autoritare.

“Politikat e LSDM-së me Zaevin dhe Filipçen bënë që Maqedonia të shndërrohet në një regjim hibrid, me karakteristika të ngjashme të qeverisjes si ato të Vladimir Putin dhe Alexander Lukashenko. Serhiy Onyshchenko dhe Borçe Markovski, të cilët janë bashkëpunëtorë të afërt me Putinin dhe Lukashenkon, janë persona të cilëve pushteti i LSDM-së, Zaevit dhe Filipçes ua hapi derën që të vijnë, të vendosen dhe të zhvillojnë biznese. Pas një kohe, njëri është dënuar me 15 vjet burg, ndërsa tjetri është ulur në bankën e të akuzuarve. Vetëm figura të tilla kriminale arrinin të kishin sukses në kohën e LSDM-së, të Zaevit dhe Filipçes”, theksoi Lefkov. Sipas tij, këto politika, , i kanë shkaktuar LSDM-së dëme serioze në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Nga partia në pushtet gjithashtu vazhdojnë akuzat ndaj LSDM-së se me ndryshimin e emrit të shtetit ka dëmtuar interesat kombëtare. Pas informatave se ish-presidentit Kiro Gligorov i janë ofruar mjete financiare nga Greqia për ndryshimin e emrit të shtetit, VMRO-DPMNE ngre pyetje për rolin e ish-udhëheqësve të LSDM-së.

“Nëse Kiro Gligorov, si ish-president, ka refuzuar 100 milionë dollarë për ndryshimin e emrit, atëherë sa kanë marrë Zoran Zaev dhe Venko Filipçe për ndryshimin e emrit të Maqedonisë? Kjo është pyetja që shtrohet pas këtij rasti”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, LSDM i është kundërpërgjigjur VMRO-DPMNE-së me një mesazh të drejtpërdrejtë, duke akuzuar partinë në pushtet për retorikë patriotike në opozitë dhe mungesë veprimesh konkrete në pushtet.

“I premtuat popullit kthimin e emrit, i premtuat popullit se do ta anuloni Marrëveshjen e Prespës, tashmë jeni në pushtet për të dytin vit dhe nuk keni ndërmarrë asnjë hap në atë drejtim”, theksojnë nga LSDM. Social-demokratët paralajmërojnë se politikat e VMRO-DPMNE-së mund ta çojnë vendin drejt izolimit ndërkombëtar dhe përkeqësimit të marrëdhënieve me partnerët strategjikë.

“Vazhdoni deri në fund me izolimin në të cilin po e shtyni vendin. Kështu do ta keni shumë më të lehtë të vazhdoni me tenderët dhe ta përmbyllni të gjithë procesin që keni nisur. Kështu do ta keni më të lehtë edhe ta ktheni Nikolla Gruevski, kur tashmë po punoni në atë drejtim”, theksojnë nga LSDM.

Advertisement
Advertisement
Advertisement