Është viti i pestë në burgun e Gjykatës Speciale në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Ata nuk morën lajm të mirë as sot, që u konsiderua të jetë ditë e rëndësishme për vijimësinë e një procesi të stërzgjatur gjyqësor të cilit duket se po i vjen fundi. Ish-krerëve të UÇK-së që po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, u vendos t’u mos u hiqej asnjë presje nga aktakuza. Vendimi i sotëm në Hagë, për disa në Kosovë nuk lë dyshime se procesi është politik dhe i padrejtë. Dikush kërkoi reagim institucional e dikush bëri thirrje për protesta kundër asaj që po konsiderohet “rishkrim i historisë së Kosovës”.
Gazeta Express
Paraditja e sotme ishte shumë e rëndësishme për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpresonin se Gjykata Speciale do t’i jepte të drejtë një mocioni të përbashkët të avokatëve të tyre lidhur me përfshirjen në aktakuzë të ngjarjeve që kanë ndodhur para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999. Avokatë dhe përfaqësues të organizatave që merren me drejtësinë e kishin paralajmëruar vendimin si hap kyç që mund ta diktojë ecurinë e mëtejme të gjykimit.
Trupi gjykues vendosi që ta rrëzonte mocionin, i cili kërkonte heqjen e disa pjesëve nga aktakuza, përfshirë incidente që sipas mbrojtjes binin jashtë periudhës së konfliktit të armatosur.
Me arsyetimin se “incidentet dhe akuzat që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohet prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të rregullës 130”, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se nuk kanë autoritet të rrëzojnë pjesë të akuzave.
“Bazuar në sa më sipër, trupi gjykues nuk është bindur që ai ka autoritet sipas rregullës 130 për të rrëzuar pjesë të akuzave, ose të fakteve materiale që formojnë pjesë të aktakuzës, në qoftë se për shkaqe kohe ose për shkaqe të tjera. Mbi këtë bazë trupi gjykues rrëzon mocionin e mbrojtjes, sipas rregullës 130, në tërësinë e vet”, tha Smith.
Çështja e “fushëveprimit kohor ose shtrirjes kohore të konfliktit të armatosur që ka të bëjë me këtë çështje gjyqësore”, Smith tha se “do të trajtohet në fund të gjykimit kur do të vendoset për themelsinë e çështjes”.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, të cilët u paraqitën fizikisht në seancën e sotme gjyqësore, kishin kohë deri më 12 qershor për ta dorëzuar mocionin për rrëzimin e akuzave. Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndërkaq, pati kohë deri më 7 korrik që të përgjigjej.
Ish-krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në një proces të stërzgjatur dhe shumë të kritikuar gjyqësor.
Shqetësim se “po rishkruhet historia” e Kosovës
Vendimi i Speciales që pritej si një provë besimi, ka nxitur zhgënjim dhe reagim në Kosovë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së tha se vendimi ka ngjallur “shqetësime serioze për drejtësinë dhe paanshmërinë që kjo gjykatë pretendon ta përfaqësojë”.
“Rrëzimi i mocionit është mesazh negativ për drejtësinë. Kur përballë fakteve, dëshmive dhe shkeljeve procedurale mohohet edhe një shqyrtim i drejtë i mocioneve mbrojtëse, krijohet përshtypja e një procesi të njëanshëm dhe të orientuar politikisht”, thuhet në një reagim të organizatës.
Veteranët thonë se “UÇK-ja dhe drejtuesit e saj nuk kanë nevojë për mëshirë, por për një gjykim të drejtë, të barabartë dhe të bazuar në të vërtetën historike të luftës për liri”. Ata i bënë thirrje opinionit publik dhe komunitetit ndërkombëtar që “të mos bien pre e një narrative të shtrembëruar”.
“Kjo gjykatë po rrezikon të shndërrohet në mjet për rishkrim të historisë, e jo në garanci të drejtësisë. Në emër të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtave të bashkëluftëtarëve tanë”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ishte në Hagë për ta përcjellur seancën e sotme dhe tha se pa “një padrejtësi të rëndë që po i bëhet luftës sonë të drejtë për liri”.
“Është një vendim që më shumë ngjan me hakmarrje politike sesa me një proces të drejtë gjyqësor”, tha ai në një reagim të veçantë në Facebook.
Ai bëri thirrje që “të jemi të bashkuar” ndërsa kërkoi që presidentja, kryeministri e Kuvendi të reagojnë “me forcën dhe dinjitetin që kërkon kjo situatë”.
Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së, partisë që doli nga lufta, tha se Gjykata Speciale sot e humbi një mundësi për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare.
“Çlirimtarët, familjet e tyre, ne dhe cilido qytetar i Kosovës nuk kemi kërkuar favore, por vetëm drejtësi. Drejtësi që nuk ndikohet nga paragjykimet. Që nuk e ngatërron lirinë me fajin. Sepse liria nuk është faj. Kurrë s’ka qenë. Kurrë s’do të jetë”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Krasniqi tha se “historia nuk guxon dhe nuk mund të shkruhet në sallat e heshtura të gjykatave, sepse është shkruar në sakrificat e popullit tonë për liri”.
“Drejtësia mund të vonohet, por e vërteta nuk do të ndryshojë asnjëherë. Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre. Krenaria dhe dinjiteti i atyre që luftuan për këtë vend mbeten të pathyeshme – përjetësisht! Dielli do të lind përsëri – për çlirimtarët, për Kosovën dhe për të vërtetën”, shkroi ai.
Edhe kandidati i PDK-së për kryeministër e pa si “shumë zhgënjyes” vendimin. Bedri Hamza tha se vendime të tilla po e minojnë besimin e popullit në drejtësi.
“Sjellja dhe vendimet arbitrare të Gjykatës Speciale po e minojnë besimin e popullit tonë në drejtësi dhe do të lënë pasoja të pariparueshme në sistemin juridik. Ne e kemi krijuar Gjykatën Speciale si përgjigje ndaj kërkesës së aleatëve tanë dhe si besim në drejtësinë ndërkombëtare. Nuk e kemi krijuar që bashkësia ndërkombëtare përmes saj të realizojë agjenda politike jashtë çdo logjike juridike”, shkroi ai në Facebook.
Ai tha se “Kosova nuk do të lejojë që lufta për liri e popullit të komprometohet në emër të një balancimi të rremë të drejtësisë”.
“Kosova nuk do të lejojë rishkrim të historisë sonë!”.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e quaji “padrejtësi speciale” vendimin e sotëm të gjykatës në Hagë.
“Kur Paneli Gjykues bëhet njësh me Prokurorinë, aty nuk ka drejtësi”, shkroi ajo në Facebook.
Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami tha të hënën në Frontal në T7 se shteti i Kosovës “ka dështuar” t’i mbrojë ish-krerët e UÇK-së dhe se nuk e ka ndjekur shembullin kroat, ku “komplet shteti ka qenë i mobilizuar”.
“Kjo do të jetë një faturë që do ta paguajmë me vite, me disa gjenerata. Do ta vë një njollë të pashlyeshme në shtetësinë tonë”, tha ai.
Thirrje për protesta
Nasim Haradinaj nga OVL-UÇK thotë se Gjykata Speciale “ka hyrë me bindje për ta dënuar UÇK-në”.
Ai tha në Kosova Live në T7 se “populli duhet të jetë i organizuar”.
“Unë pres ky popull të këndellet. Nëse përtojnë me dalë në nxehtë, është kah vjen flladi i shtatorit”, tha ai duke iu referuar protestave.
Protesta “të pandalshme popullore në Kosovë dhe në Bruksel” po kërkon edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Gjykatës, ajo iu referua si “turpi special i Bashkimit Evropian”.
“Koha është për veprim. Tani!”, shkroi Musliu në Facebook.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj shkroi në Facebook se “vetë procesi dhe supozimet e gjykatës përbëjnë padrejtësi” dhe se indikacionet veçse ishin “shqetësuese”.
“Reagimi nuk pret, reagimi nuk duhet ta presë ditën e fundit”.