Sean “Diddy” Combs është në qendër të një procesi gjyqësor që po ndjeket nga të gjitha mediat, por përveç akuzave, vëmendje të madhe po merr edhe mënyra se si ai po paraqitet në sallën e gjyqit.
I njohur për stilin e tij luksoz dhe ekstravagant, Combs është shfaqur me veshje shumë më të thjeshta gjithmonë me një xhemper dhe kjo, sipas ekspertëve të modës, nuk është aspak rastësi.
Sipas E! News, Combs ka marrë leje të vishet me rroba personale gjatë procesit. Ai ka të drejtë të ketë me vete pesë këmisha, pesë palë pantallona, pesë palë çorape, pesë xhemperë dhe dy palë këpucë. Kjo liri u lejohet shumë të pandehurve, për të shmangur efektin negativ që mund të krijojë uniforma e burgut te juria. Rrobat civile, veçanërisht ato më të thjeshta dhe të përmbajtura, ndihmojnë në paraqitjen e të akuzuarit si më i “afërt” dhe më pak kërcënues.
Edhe pse kamerat janë të ndaluara në sallën e gjyqit, disa artistë vizatimorë janë të pranishëm për të dokumentuar skena nga seancat. Skicat e publikuara nga Reuters tregojnë një Combs të ndryshuar me flokë të thinjur dhe veshje shumë më modeste se zakonisht. Flokët, sipas raportimeve, janë thinjur për shkak të mungesës së mundësisë për t’i ngjyrosur në paraburgim.
Një gazetar i The Independent e përshkroi pamjen e re të artistit si “të vështirë për t’u njohur”. Ndërkohë, artistet që po realizojnë skicat për The Washington Post të njëjtat që kanë portretizuar edhe figura të tjera të njohura si Donald Trump, Harvey Weinstein dhe R. Kelly thonë se fytyra e Combs është “e vështirë për t’u vizatuar”, pasi nuk ka shumë tipare të theksuara. Megjithatë, theksojnë se “vetullat janë shumë ekspresive”.
Nga ana tjetër, vetë Combs nuk është aspak i kënaqur me këto vizatime. Sipas Law & Crime Network, ai ka komentuar me ironi se në disa prej skicave duket “si një koalë”.
Ky ndryshim drastik në paraqitjen e tij publike nuk është i rastësishëm. Shumë e shohin si një strategji për të ndikuar ndjeshmërinë e jurisë dhe për të ndërtuar një imazh më të përulur dhe më njerëzor – larg figurës së pasur dhe të fuqishme që ai ka kultivuar prej vitesh në sytë e publikut.