Owada në Kosovë, Vetëvendosje më 2010 ishte skeptike edhe rreth vendimit të GJND’së që i dha vulë pavarësisë - Gazeta Express
string(106) "owada-ne-kosove-vetevendosje-me-2010-ishte-skeptike-edhe-rreth-vendimit-te-gjndse-qe-i-dha-vule-pavaresise"

Lajme

Gazeta Express

19/06/2025 16:00

Owada në Kosovë, Vetëvendosje më 2010 ishte skeptike edhe rreth vendimit të GJND’së që i dha vulë pavarësisë

Lajme

Gazeta Express

19/06/2025 16:00

Profesori japonez Hisashi Owada, i cili ishte në krye të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në kohën kur Serbia kërkoi të testojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, këto ditë po qëndron në Prishtinë. Universiteti i Prishtinës dje i akordoi titullin e lartë “Doctor Honoris Causa” për kontributin e tij, ndërsa sot u prit në Kryeministri nga kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, i cili lavdëroi punën e tij.

“Në takim, kryeministri Kurti veçoi rolin kyç të profesorit Owada në Opinionin Këshillues të GjND-së të 22 korrikut 2010, në të cilin u konstatua se shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, tha sot ZKM pas takimit.

Megjithatë, në kohën kur vendimi i GJND-së që vulosi pavarësinë e Kosovës doli, partia e Albin Kurtit s’ishte fort e kënaqur e as nuk i kishte dhënë ndonjë lëvdatë kësaj gjykate.

Më 2010 në analizën që Vetëvendosje kishte publikuar për këtë vendim kishte pesimizëm edhe pse në Kosovë gjithandej kishte ekzaltim. Ata që e interpretuan “si bazë të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës” s’e kishin me të drejtë, sipas Vetëvendosje.

“Sa i përket pikës së parë [Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelë të drejtën ndërkombëtare], pothuajse të gjithë analistët, politikanët e zyrtarët, e kanë interpretuar atë si bazë të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Do të ishte mirë të ishte kështu, por kjo gjë fatkeqësisht nuk është e vërtetë”, thuhej në analizën e 2010-ës.

“Gjykata vetëm ka shpjeguar se nuk ka norma pozitive të së drejtës ndërkombëtare të cilat e sanksionojnë shpalljen e pavarësive apo ndalimin e tyre. Konstatimi se ”shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelë të drejtën ndërkombëtare”, nuk e implikon përfundimin se kjo shpallje është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, sepse e drejta ndërkombëtare në përgjithësi nuk i parasheh procedurat e ligjshme të krijimit të shteteve. Gjithsesi që një qëndrim i tillë është pozitiv në kuptimin e konceptimit të shtetit si fakt real. Por politikanët e Kosovës e konceptojnë shtetin vetëm si shpallje, prandaj kjo e rrezikon integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës”.

Për pikën e dytë që Vetëvendosje kishte nxjerrë atëherë –  Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkelë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – partia e Kurtit këtë herë kritikat ia dha shteteve të mëdha në Këshill të Sigurimit.

‘Pika e dytë po ashtu ka qenë e pritshme, meqë vetë pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës sipas rekomandimit të Ahtisaarit është shpallur duke iu referuar Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Kjo ndodhi pasi që sponsorizuesit e rekomandimit të Ahtisaarit (ShBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia etj.) dështuan që gjatë verës së vitit 2007 ta nxirrnin një rezolutë tjetër për Kosovën, për shkak të përdorimit të vetos ruse në Këshillin e Sigurimit. Kështu që, meqë nuk arritën ta ndryshojnë, atëherë e shpallën pavarësinë e mbikëqyrur përbrenda Rezolutës 1244, duke arsyetuar se vetë kjo shpallje nuk e shkelte R1244”.

Po ashtu, Vetëvendosje tha se ky opinion i GJND-së do ta rikonfigurojë deri në njëfarë mase qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.

“Tash Serbia nuk do të përqendrohet aq shumë në përpjekjet për rihapjen e statusit të Kosovës, megjithëse nuk do ta njoh atë, por në ndarjen e brendshme të Kosovës, ashtu sikurse në Bosnje”.

Sot profesori Owada, në takimin me Kurtin, tha se Opinioni i GJND-së ishte shprehje e ndërgjegjes dhe sensin e tij të drejtësisë, duke shtuar se ishte e natyrshme që Gjykata të vendoste për anën e drejtë./Express/