string(93) "ovl-uck-te-perfundoje-menjehere-trajtimi-cnjerezor-dhe-poshterues-i-te-paraburgosurve-ne-hage"

Lajme

Gazeta Express

05/06/2025 16:58

OVL UÇK: Të përfundojë menjëherë trajtimi çnjerëzor dhe poshtërues i të paraburgosurve në Hagë

Lajme

Gazeta Express

05/06/2025 16:58

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së tha se shpreh “shqetësimin e saj të thellë” lidhur me zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe tha se refuzimi i vizitës së Avokatit të Popullit për të akuzuarit në Hagë pasqyron “nivelin e zhgënjimit dhe mospërfilljes që kanë përjetuar ata”.

“Refuzimi i vizitës së Avokatit të Popullit nga z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Rexhep Selimi dhe z. Jakup Krasniqi, pasqyron qartë nivelin e zhgënjimit dhe mospërfilljes që kanë përjetuar ata ndaj një institucioni që në teori duhet të mbrojë të drejtat e tyre, por që ka zgjedhur të heshtë përballë shkeljeve të rënda që po ndodhin. Qëndrimi i tyre është një mesazh i fuqishëm se kjo gjendje nuk mund të normalizohet dhe as të justifikohet.

Për më tepër, kufizimet ekstreme në takimet me avokatët dhe ndërhyrjet arbitrare në përgatitjen e mbrojtjes ligjore përbëjnë cenim të drejtave themelore të njeriut dhe shkelje të rënda të së drejtës për një proces të drejtë gjyqësor. Siç është raportuar në media, takimet po organizohen në mënyrë të papritur dhe në kushte të papërshtatshme, duke penguar seriozisht funksionimin efektiv të mbrojtjes.

Këto shqetësime i ka ngritur edhe Avokati i Popullit i Kosovës, i cili ka deklaruar publikisht se mbajtja e gjatë në paraburgim dhe mungesa e vendimeve të drejta për lirimin e përkohshëm bien ndesh me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe e përbëjnë trajtim jo të dinjitetshëm”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.

OVL-UÇK i ka listuar edhe disa thirrje:

1. Të përfundojë menjëherë trajtimi çnjerëzor dhe poshtërues i të paraburgosurve.

2. Të garantohen pa vonesë të gjitha të drejtat e tyre, përfshirë qasjen e plotë dhe të pandërprerë në mbrojtje ligjore.

3. Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara të mbajë qëndrim publik ndaj shkeljeve dhe të mos bëhet palë në heshtje me një sistem të padrejtë.

4. Të bëhet rishikim i menjëhershëm i kushteve të paraburgimit dhe të shqyrtohet seriozisht mundësia e lirimit të përkohshëm të tyre.

“Luftëtarët e UÇK-së nuk kanë luftuar për drejtësi të njëanshme, për paraburgime pa fund dhe për t’u poshtëruar në emër të një drejtësie që hesht përballë padrejtësisë. Drejtësia e vërtetë fillon me respektimin e dinjitetit njerëzor”.

aaaaa