Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pasi u publikua një pamflet ku Dimal Basha, tash kryeparlamentar akuzonte UÇK-në.
OVL UÇK ka deklaruar se është e pafalshme që Kuvendi i Kosovës të udhëhiqet nga një njeri i tillë.
Në deklarim OVL shprehu indinjatën për votën që iu dha Bashës në Kuvend.
Deklarimi i plotë:
OVL e UÇK-së shpreh indinjatën e thellë për zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.
Ky person njihet për qëndrimet e tij denigruese dhe fyese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur atë si të lidhur me krimin dhe duke njollosur sakrificën më të madhe të popullit tonë.
Është e papranueshme dhe e pafalshme që Kuvendi i Kosovës të drejtohet nga një njeri që ka fyer dhe sulmuar UÇK-në dhe Dëshmorët tanë.
Këtu lind pyetja për deputetët që e votuan këtë kandidat, përtej Lëvizjes Vetëvendosje:
Si munde ta votosh dhe t’i jepni besimin një personi që vazhdimisht ka qenë kundër UÇK-së?
Ju përfaqësoni popullin që u çlirua pikërisht falë gjakut të UÇK-së?
Ky akt është një njollë e rëndë mbi dinjitetin e Kuvendit të Kosovës dhe një goditje e drejtpërdrejtë për vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti.
OVL UÇK do të mbetet gjithmonë në mbrojtje të UÇK-së dhe të vlerave të saj. Ne nuk do të lejojmë që historia jonë të tjetërsohet e as të përlyhet nga individë të tillë.
Gazetari Krasniqi nxjerr një artikull skandaloz të Dimal Bashës – Pretendonte se UÇK u financua nga trafikantët e drogës dhe mafia shqiptare