Refuzimi i Dhomave të Specializuara për lirim të përkohshëm të Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka nxitur reagime në Kosovë. Bashkëluftëtarët e të të akuzuarve dhe avokatët e quajnë të padrejtë këtë vendim të Speciales, tani që dëshmitarët e prokurorisë kanë përfunduar dhe nuk qëndron më as arsyetimi i gjykatës se të akuzuarit mund të ndikojnë në dëshmitarë.
Sipas tyre, të paraburgosurit gjithmonë kanë qenë pro të vërtetës dhe nuk kanë ndikuar asnjëherë te askush edhe para se të shkonin në Hagë.
Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të vazhdojnë të mbesin në paraburgim në Hagë, me gjithë kërkesat e mbrojtjes për lirim të përkohshëm.
Pavarësisht që dëshmitarët e mbrojtjes kanë përfunduar, Dhomat e Specializuara të cilat arsyetonin paraburgimin se të akuzuarit mund të ndikojnë në dëshmitarë, megjithatë nuk kanë ndryshuar qëndrim ndaj krerëve të UÇK-së.
Në arsyetimin ku refuzohet kërkesa e mbrojtjes për lirim të përkohshëm, Specialja ka theksuar se paraburgimi mbetet proporcional, i nevojshëm dhe i arsyeshëm.
Refuzimin e quajnë të paarsyeshëm bashkëluftëtarët e të akuzuarve. Nga organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së thonë se në këtë gjykatë po bëhet padrejtësi në emër të drejtësisë.
“Nuk ka asnjë bazë, asnjë arsye që ajo të ndodh, Hashim Thaçi ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi ish-kryeparlamentar, Kadri Veseli ish-kryeparlamentar, Rexhep Selimi deputet, ata të gjithë për 20 vite kanë qenë të lirë dhe nuk kanë qenë të penguar për asnjë veprim të tyre dhe nuk kanë ndikuar te askush për asgjë”, tha Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL-UÇK-së.
Paragjykues ndaj krerëve të UÇK-së e vlerëson vendimin edhe njohësi i punës së Speciales, avokati Ardian Bajraktari.
“Kur kemi parasysh faktin qasjen që kanë pas ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vijimësi të procesit, madje- madje edhe nga para fillimit të tij, atëherë vlerësoj që një vendim i tillë është i natyrës paragjykuese dhe për më tepër është në shpërputhje edhe me ligjin edhe me praktikën e gjykatës evropiane për faktin se masa e paraburgimit është masa më e ashpër dhe në këto rrethana duke qenë se tashmë ka përfunduar së dëgjuari lista e dëshmitarëve të ftuar të prokurorisë, nuk ka asnjë mundësi për me ndikuar në prova dhe dëshmi”, tha Ardian Bajraktari, avokat.
Javë më parë, edhe Policia e Kosovës ia kishte ofruar në dispozicion Gjykatës Speciale të gjitha kapacitetet e saj për t`i monitoruar të akuzuarit që të mbahen në arrest shtëpiak në Kosovë, kërkesë e cila po ashtu ishte refuzuar nga kjo gjykatë.
Ndërkohë që dëshmitarët e prokurorisë kanë përfunduar, mbrojtjes i kanë mbetur edhe 10 ditë për ta dorëzuar mocionin për rrëzimin e pikave të aktakuzës, pas së cilës do të përgjigjet prokuroria.