Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila ditëve të fundit ka qëndruar për vizitë në SHBA, ka udhëtuar drejt Letonisë. Osmani pas kthimit do të mbajë një konferencë për media ku pritet të flasë rreth akuzave të Richard Grenell se I ka manipuluar deklaratat e Presidentit Trump I cili javëve të fundit ka thënë vazhdimisht se ka ndalur konfliktin Kosovë -Serbi.
Për udhëtimin drejt Baltikut ka njoftuar Presidenca.
“Presidentja Osmani do të pritet me nga Presidenti i Republikës së Letonisë, Edgars Rinkēvičs, me të cilin përveç takimit tête-à-tête, do të zhvillojë takim pune me delegacionet përkatëse, si dhe do të merr pjesë në drekën e punës të shtruar nga Presidenti Rinkēvičs. Pas takimeve, të dy presidentët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, me ç’rast Presidentja Osmani do t’i dorëzojë Presidentit Rinkēvičs medaljen ushtarake presidenciale për Forcat Mbrojtëse të Letonisë për kontributin e tyre për paqen dhe sigurinë si pjesë e KFOR-it” thuhet në njoftim,
Komunikata e plotë
Presidentja Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Republikën e Letonisë
Me ftesë të Presidentit të Republikës së Letonisë, Edgars Rinkēvičs, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Republikën e Letonisë.
Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të pritet me nga Presidenti i Republikës së Letonisë, Edgars Rinkēvičs, me të cilin përveç takimit tête-à-tête, do të zhvillojë takim pune me delegacionet përkatëse, si dhe do të merr pjesë në drekën e punës të shtruar nga Presidenti Rinkēvičs. Pas takimeve, të dy presidentët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, me ç’rast Presidentja Osmani do t’i dorëzojë Presidentit Rinkēvičs medaljen ushtarake presidenciale për Forcat Mbrojtëse të Letonisë për kontributin e tyre për paqen dhe sigurinë si pjesë e KFOR-it.
Gjatë vizitës njëditore, Presidentja Osmani do të vizitojë edhe Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), do të zhvillojë po ashtu edhe takime me përfaqësues të Odës Ekonomike të Letonisë, si dhe do të ketë një diskutim me ekspertë dhe akademikë për politikat që garantojnë paqe dhe siguri të qëndrueshme.