Osmani u thirr në deklaratat e Maqedoncit, KFOR e kishte demantuar atë dhe Kurtin për lëvizje të ushtrisë serbe në kufi - Gazeta Express
string(118) "osmani-u-thirr-ne-deklaratat-e-maqedoncit-kfor-e-kishte-demantuar-ate-dhe-kurtin-per-levizje-te-ushtrise-serbe-ne-kufi"

Lajme

Gazeta Express

17/07/2025 18:07

Osmani u thirr në deklaratat e Maqedoncit, KFOR e kishte demantuar atë dhe Kurtin për lëvizje të ushtrisë serbe në kufi

Lajme

Gazeta Express

17/07/2025 18:07

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sot në një konferencë për media për rrezikun që ka pasur Kosova për në sulm të serishëm nga Serbia. Osmani duke u përpjekur të sqaronte deklarimet që kishte bërë nga Uashingtoni, ka thënë sot se bëhet fjalë për fundin e muajit maj të këtij viti, shkruan Express.

Sipas saj, në atë kohë ka pasur lëvizje të ushtrisë serbe në kufi me Kosovën dhe ka pasur rrezik për destabilizim.

“Në të gjitha takimet përgjatë vizitës kemi folur edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë. Siç e dini të gjithë gjatë vizitës sime në SHBA kam deklaruar se Serbia ka pasë për qëllim dhe ka ende për qëllim që të destabilizojë situatën në gjithë rajonin tonë dhe të përshkallëzojë situatën në Kosovë. Ky vlerësim është bërë mbi bazën e informatave të vazhdueshme që ne si institucione i marrim nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës. Më konkretisht, në fund të muajit maj kemi marrë informacione të reja specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informatave kemi pasë takime me institucione të sigurisë të cilat me raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo isntitucion në Kosovë ka mobilizimin e duhur për mbrojtjen e vendit”, ka deklaruar sot presidentja Osmani.

Këtë rritjen e forcave serbe në fund të muajit maj e kishte përmendur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Sipas tij, forcat serbe ishin rritur në kufi me Kosovën dhe këtë e kishte ndërlidhur me “Defender Europe” që po organizohej edhe në Kosovë.

“Rritja e gatishmërisë dhe e pranisë në kufirin tonë e forcave të armatosura të Serbisë besojmë se është reaksion ndaj ‘Defender Europe 2025’”, kishte deklaruar Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë, më 29 maj 2025.

Osmani në konferencën e sotme për media, ka thënë se për rrezikun e majit kishte folur edhe minsitri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Megjithatë vetë ministri, kishte sqaruar deklaratën e tij në A2CNN, duke thënë se ai të paktën në dy vitet e fundit ka folur për rrezikun nga Serbia.

Deklarimet për rritje trupash në fundin e majit i kishte demantuar KFOR-i. Në një përgjigje të dhënë për Gazetën Express në më 31 maj të vitit 2025, KFOR kishte potencuar se as s’kanë vërejtur e as s’janë njoftuar për ndryshime të rëndsishme për praninë e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.

 “KFOR-i vazhdon të jetë i pranishëm dhe të monitorojë aktivitetet përgjatë Vijës Kufitare Administrative (ABL), në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i nuk ka vërjetur dhe as nuk është njoftuar për ndryshime të rëndësishme të kohëve të fundit në praninë e Forcave të Armatosura Serbe në Vijën Kufitare Administrative”, kishte thënë një zyrtar i KFOR për Gazetën Express./GazetaExpress/