Osmani takohet me kancelarin austriak: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke - Gazeta Express
string(98) "osmani-takohet-me-kancelarin-austriak-dialogu-kosove-serbi-duhet-te-perfundoje-me-njohje-reciproke"

Osmani takohet me kancelarin austriak: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke

Instant

Gazeta Express

23/06/2021 18:59

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare në Austri është takuar me kancelarin Sebastian Kurz.

Në takim me kancelarin Kurz, Osmani ka shprehur falënderim për mbështetjen e vazhdueshme austriake ndaj Kosovës.

Ajo ka theksuar se është në interesin e Kosovës që kjo mbështetje të vazhdojë me procesin e liberalizimit të vizave si dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Gjithashtu, Osmani ka theksuar edhe gatishmërinë e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në këtë drejtim, Osmani ka potencuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e ekonomisë, teknologjisë informative, agjendës së gjelbër dhe fushave të tjera.

Presidentja ka falënderuar kancelarin Kurz për 95 mijë vaksina Pfizer, të cilat janë siguruar për Kosovën nga Bashkimi Evropian, për të cilat Austria kishte ndihmuar në aspektin procedural.

Po ashtu, Osmani ka thënë se populli i Kosovës janë më proevropianët, ndaj ka kërkuar që BE-ja t’i liberalizojë vizat, duke mbajtur premtimin.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Osmani ka ritheksuar qëndrimin për dialog të barabartë ndërmjet palëve, i cili përfundon me njohje reciproke.

Siç njofton Presidenca, ajo ka theksuar se parakushte për paqen e qëndrueshme në rajon janë drejtësia për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe respektimi i sovranitetit dhe integritetit kushtetues e territorial të Republikës së Kosovës.