Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, sot në Tiranë.
Osmani tha se këtë takim po e realizon në Tiranë meqë kur Kallas të vijë në Prishtinë javën e ardhshme, ajo është në udhëtim jashtë vendit.
“Kënaqësi të takohem me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, një mbështetëse e kahmotshme për një Evropë të sigurt e të bashkuar. Duke qenë se gjatë vizitës së saj javën e ardhshme në Kosovë do të jem në një vizitë shtetërore të paracaktuar jashtë vendit, takimin e realizuam në Tiranë”.
Osmani tha se Kosova është e gatshme për të ndërmarrë hapin e radhës drejt BE-së dhe se tashmë është koha që edhe BE të përgjigjet me guxim.
“Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Është koha që BE t’i përgjigjet këtij momenti me guxim, qartësi dhe vendosmëri, tipare këto që e karakteriojnë lidershipin e Përfaqësueses së Lartë Kallas”./Express/