Presidentja e Kosovës tha se i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që t’i sqarojë “pasojat juridike” të moskonstituimit të Kuvendit deri në fund të kësaj jave, sipas afatit të dhënë në aktgjykimin e 26 qershorit.
Vjosa Osmani e quajti “të paprecedentë” situatën, ndërsa tha në një konferencë për media se kërkesa e saj “ka karakter preventiv” – për t’i parandaluar “pasojat e pariparueshme”.
“Duke qenë se çdo afat i detyrueshëm kushtetues dhe çdo moszbatim i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ketë edhe pasoja juridike, por ato nuk janë sqaruar në aktgjykimin paraprak, kërkesa jonë sot në esencë është kërkesë për qartësimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, tha ajo.
Presidentja tha se e paraqiti këtë kërkesë “pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë”.
Ajo tha se “përkundër aktgjykimit të Kushtetueses” që ka urdhëruar konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh, “nuk shihet në horizont as konsensusi e as kompromisi për konstituimin e Kuvendit brenda këtij afati kushtetues”.
Ngërçin politik në Kuvend nuk e ka ndryshuar as aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese më 26 qershor, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.