Osmani e bën të qartë se Dehari e ka imponuar tentimin për të votuar fshehtë: Lejohet, por duhet të pyeten deputetët - Gazeta Express
string(114) "osmani-e-ben-te-qarte-se-dehari-e-ka-imponuar-tentimin-per-te-votuar-fshehte-lejohet-por-duhet-te-pyeten-deputetet"

Lajme

Gazeta Express

04/07/2025 11:50

Osmani e bën të qartë se Dehari e ka imponuar tentimin për të votuar fshehtë: Lejohet, por duhet të pyeten deputetët

Lajme

Gazeta Express

04/07/2025 11:50

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se votimi i fshehtë lejohet, por se për të duhet të ketë konsensus në mes të deputetëve.

“Lejohet si mundësi, por duhet të ketë vendim të seancës, të pyeten deputetët”, tha ajo.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pas disa dështimeve radhazi të kandidates së Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, për të marrë votat e nevojshme, që nga 1 maji është duke e hedhur në votim një komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri.

Pas aktgjykimit të nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje po insiston se votimi i fshehtë nuk është hedhur poshtë, ndërsa partitë tjera, PDK, LDK dhe AAK thonë se aktgjykimi ishte i qartë që forma përmes të cilës duhet të zgjidhet kryeparlamentari i ri duhet të bëhet sipas praktikave të deritanishme e që janë votime të hapura. Këto parti po e akuzojnë Deharin që në mënyrë kundërkushtetuese po e hedh në votim këtë komision.

Osmani gjithashtu ka paralajmëruar se nëse nuk ndodh konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, atëherë deputetët do të përballen me pasoja juridike.

Këto deklarata Osmani i bëri në një deklarim për media pas ceremonisë së betimit të 18 kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ajo tha se është duke planifikuar që në rast të moskonstituimit të Kuvendit “shumë shpejt” do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim.

Ajo theksoi se afati i përcaktuar nga Kushtetuta nuk është opsional dhe se shkelja e tij nuk mund të kalojë pa pasoja.

“Kemi pasur takime të mira, por natyrisht që partitë kryesore i kanë qëndrimet ende diametralisht të kundërta, por kjo nuk do të thotë që brenda këtij afati nuk do të ketë afrim. Ka disa gjëra që mund të ketë afrim. Bllokada e tanishme te lloji i votimit është shumë, shumë jo racionale. I kemi edhe dy ose tri lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese rreth mënyrës së votimit. Nuk e di nëse në këto lëndë është kërkuar masë e përkohshme që të mos ecë afati, nëse nuk ka masë të përkohshme për mosrrjedhjen e afatit, neve na kanë mbetur më pak se 25 ditë dhe aktgjykimi i Gjykatës nuk e lejon si opsionale konstituimin brenda 30 ditësh, por e qartësoj duke marrë për bazë edhe interpretime të shteteve të ndryshme në sistem të ngjashëm kushtetues, e sa herë që kjo është e detyrueshme”, tha Osmani siç citon EO. /Express/

Foto: EO