Osmani: Përderisa Kosova kujton viktimat e gjenocidit, BE-ja e shpërblen Serbinë


Gazeta Express
9 Dhjetor 2019 14:36

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka shkruar në ditën ndërkombëtare të viktimave të gjenocidit, se Kosova në këtë ditë kujton ata që humbën jetën si pasojë e politikave gjenocidale të shtetit serb, raporton Gazeta Express.

Përmes një shkrimi në Facebook, Osmani ka kujtuar në veçanti fëmijët e vrarë e të masakruar nga ky regjim.

Tutje, nënkryetarja e LDK-së shprehet se edhe më tutje shteti serb po vazhdon të mohojë këto krime, derisa nuk shpreh keqardhje për viktimat e pafajshme.

“Në ditën ndërkombëtare të kujtimit të viktimave të gjenocidit, kujtojmë të gjithë ata që humbën jetën si rezultat i politikave gjenocidale të shtetit serb, dhe në veçanti fëmijët e vrarë e të masakruar nga ky regjim. Edhe pas më shumë se dy dekadash, shteti serb vazhdon me politikën e mohimit të këtyre krimeve, nuk shpreh keqardhje për viktimat e pafajshme dhe tenton të rishkruajë historinë edhe pse krimet serbe ndodhën para syve të të gjithë botës”, thotë ajo.

Vjosa Osmani ka thënë se në këtë ditë, derisa në Kosovë kujtohen ata që humbën jetën në luftën e fundit, Bashkimi Evropian shpërblen Serbinë me hapjen e një kapitulli të ri në procesin e integrimit evropian.

“Përderisa ne sot kujtojmë të gjithë ata që humbëm, Bashkimi Evropian, pikërisht sot, po e shpërblen Serbinë me hapjen edhe të një kapitulli në procesin e integrimit evropian”, tha Osmani. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart