Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pasojat kryesore të moskonstituimit të Kuvendit i bart vendi dhe qytetarët.
“Desha të iu njoftoj për disa prej çështjeve që i diskutuam në takimin e parë . Sot bëhet një muaj nga seanca e parë që e kam thirrë më 15 prill por fatkeqësisht edhe pas 16 përpjekjeve nuk ka pasur rezultat në konstituimin e kuvendit. Moskonstituimi i kuvendit mund t’i duket dikujt se dëmton vetëm politikanë apo parti të caktuara, megjithatë pasojat kryesore i bart vendi ynë dhe të gjithë qytetarët tanë pa dallim”, tha ajo.
“Kushtetuta e Kosovës ndër parimet themelore parasheh se parimi i ndarjes së pushteteve apo parimi I kontrollit dhe balancit është një ndër vlerat dhe parakushtet e funksionimit kushtetues të institucioneve dhe një ndër shtyllat që parashihet aty është edhe legjislativi. Në situatën aktuale me mungesën e kuvendit funksional po rrezikohet ky parim kushtetuese. Prandaj dhe sot në takimin e parë i kam inkurajuar liderët e partive politike që në funksion të realizimit të këtij parimi kushtetues të gjejnë zgjidhje të përbashkët për konstituimin e kuvendit që përveçse do të siguronte funksionimin kushtetues të institucioneve, po ashtu do të hapte rrugë për krijimin e qeverisë së re.”
“Ky është vetëm takimi i parë, nëse shihet e nevojshme nga java e tjetër do të takoj liderët e partive individualisht për të vazhduar pastaj edhe formate të tjera sipas nevojës. Po ashtu, sa për sqarim këto nuk janë konsultime për krijimin e qeverisë së re sepse siç e dini këto i takojnë ekskluzivisht negociatave ndërmjet partive politike dhe institucioni i presidentes nuk është institucion që përfaqëson ndonjë parti por përkundrazi”, tha ajo.
“Pra në qoftë se mund ta them kështu, ekziston një disponim minimal i cili jam e bindur që do të rritet me kalimin e kohës, e cila shpresoj shumë që nuk do të jetë kohë shumë e gjatë”, shtoi ajo. /GazetaExpress/