Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sot është mbajtur pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetarja e Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës. Në këtë pritje morën pjesë përfaqësues të partive dhe të institucioneve, raporton Ekonomia Online.
E para e vendit, Vjosa Osmani, para të pranishmëve tha se sot Kosova po mbush 18 vjet, “një moshë që simbolizon pjekurinë, përgjegjësinë dhe besimin në të ardhmen që po e ndërtojmë së bashku”.
“Sot Republika jonë mbush 18 vjet, një moshë që simbolizon pjekurinë, përgjegjësinë dhe besimin në të ardhmen që po e ndërtojmë së bashku. Ne e dimë se historia jonë nuk është vetëm rrëfim i së kaluarës, por një rrugëtim që vazhdon, një kapitull që shkruhet çdo ditë nga qytetarët tanë.
Krah për krah me aleatët tanë dhe me besim të plotë në forcat tona, do të vazhdojmë të ndërtojmë një Republikë edhe më të fortë, edhe më të drejtë, edhe më të begatë për secilin qytetar tonin. Le ta mbajmë gjithmonë lart flamurin e Republikës sonë dhe le t’i tregojmë botës se Kosova është një histori që vazhdon të frymëzojë, një vend i njerëzve të lirë, i qëndresës dhe i dashurisë së përjetshme për liri.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Republikës! Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që dhanë gjithçka për këtë ditë. Rroftë Republika e Kosovës, populli dhe aleatët e saj. Gëzuar të gjithëve!”, tha Osmani.
Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se 18-vjetori i pavarësisë e gjen Kosovën më të fortë se kurrë dhe veçoi rolin e sakrificës së atyre që sollën lirinë.
“Ditëlindja e 18-të e Pavarësisë e gjen Republikën në gjendjen më të fortë se kurrë dhe gati për udhëtimin që e pret, me më shumë përgjegjësi, por edhe me më shumë vetëbesim.
Pavarësia, edhe pse 18-vjeçare, është një nga ato raste të rralla kur rinia shoqërohet me urtësi. Shteti i Kosovës paraprihet nga mijëra vite të ekzistencës sonë si popull e qindra si komb, si dhe nga një betejë e gjatë paqësore, e cila e ruajti identitetin tonë. Para shpalljes së pavarësisë, shtetësia jonë ka ekzistuar në shumë forma: në emrat e fëmijëve, në vargje librash e veprimtari në të dy anët e Atlantikut, përveçse në Ballkan e jo vetëm. Ka ekzistuar në krenarinë që kemi dhe në thirrjen për të mirën e përbashkët.
Prandaj, në hyrje të vitit të parë të pjekurisë shtetërore, hyjmë me një histori të gjatë paqeje, sa ajo e vetë Evropës. Në këto 18 vite patëm aktin themelues: për herë të parë kultura, identiteti, vullneti dhe të drejtat tona patën mundësinë të vendosen nga vetë ne. Liria jonë mori infrastrukturën e duhur për t’u shndërruar në përparim.
Edhe pse të kërcënuar vazhdimisht, të thuash se historia jonë si shtet e si komb është thjesht një histori mbijetese është një tkurrje e padrejtë e së vërtetës. Përkundrazi, pavarësisht vështirësive, Kosova mbijetoi pa qenë në një gjendje mbijetese, siç e përshkruan shkenca: një gjendje e mbyllur ndaj gjithçkaje që nuk është e domosdoshme për të jetuar. Ne mbijetuam me një zemër të madhe dhe të hapur, duke ruajtur bujarinë shpirtërore dhe gatishmërinë për të ecur përpara; duke kërkuar llogaridhënie, por asnjëherë hakmarrje; duke vendosur të jetojmë në unitet, me bashkëjetesë ndërfetare dhe shumëetnike.
Në pothuajse gjithë botën, ligji të jep përgjegjësi në moshën 18-vjeçare dhe lirinë për të vendosur vetë për fatin tënd, me zotësi të plotë veprimi. Mosha 18-vjeçare po ashtu e gjen Kosovën me stabilitet të fortë institucional. Për herë të dytë kemi një qeveri të qëndrueshme, me mbështetjen e duhur të popullit për të përmbushur mandatin e plotë katërvjeçar dhe për të shtyrë përpara reforma të thella në të gjitha fushat e qeverisjes.
Të rritesh e të shtosh vite është një privilegj, sepse është e çmuar të jesh e të zhvillohesh. Por shteti që shpall pavarësinë në shekullin XXI ka një privilegj të veçantë: e gjithë historia e shpalljes së pavarësisë, e cila gjithmonë është një betejë e udhëhequr nga ndjenja të thella, është brenda kujtesës sonë të gjallë. Arsyeja pse jemi këtu dhe e ardhmja ku jetojmë bashkë”, tha Kurti.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ndal te historia që rezultoi me lirinë e vendit.
“Mirë se keni ardhur në pritjen shtetërore për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Sot shënojmë përvjetorin e pavarësisë sonë, një akt historik që u kurorëzua nga përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri, barazi dhe vetëvendosje.
Pavarësia e Kosovës është rezultat i një rruge të gjatë e të vështirë, të sakrificës, të organizimit, mobilizimit dhe, më e rëndësishmja, të vullnetit tonë si popull. Historia e Kosovës është histori qëndrese: qëndresë kundër mohimit, kundër padrejtësisë dhe kundër dhunës. Populli i Kosovës u përball me shtypje sistematike, diskriminim dhe dhunë të organizuar. U mohua e drejta për arsim, për punë e për përfaqësim të barabartë. Megjithatë, asnjëherë nuk u shuan aspiratat për liri dhe shtetësi. Ato u përcollën nga brezi në brez, nga stërgjyshërit, gjyshërit dhe prindërit tanë.
Në ato kohë të errëta, zëri i ndërgjegjes kombëtare u personifikua në figura të shquara si Adem Demaçi, simbol i rezistencës politike, i sakrificës dhe i qëndresës së palëkundur për liri, i cili me dekada burgimi mbajti gjallë idealin e Kosovës së lirë. Diaspora shqiptare ishte pjesë e pandashme e kësaj qëndrese. Ajo dëshmoi se lidhja me atdheun nuk njeh kufij.
Vitet ’90 shënuan një kapitull të veçantë të rezistencës sonë kombëtare. Qëndresa paqësore e qytetarëve të Kosovës, e shprehur përmes organizimit shoqëror, ndërtimit të institucioneve paralele, protestave popullore dhe lëvizjes studentore, dëshmoi pjekurinë politike dhe morale të një shoqërie që kërkonte liri. Sot kujtojmë edhe Presidentin Ibrahim Rugova, i karakterizuar nga legjitimiteti moral dhe përkushtimi për një zgjidhje paqësore.
Por kur dhuna u intensifikua dhe e drejta për jetë u kërcënua, lindi rezistenca e armatosur si domosdoshmëri historike. Lufta Çlirimtare e Kosovës u bë simbol i sakrificës sublime për liri. Në ballë të kësaj lufte qëndron figura emblematike e Adem Jashari, i cili së bashku me familjen e tij në Prekaz shkroi faqen më të lavdishme dhe më të dhimbshme të historisë sonë moderne, duke u bërë themel i lirisë së Kosovës.
Ky themel sot po vihet në sprovë. Procesi që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Gjykatën Speciale ka prekur ndërgjegjen tonë kolektive dhe vetë themelet mbi të cilat qëndron liria jonë. Në këtë moment kemi përgjegjësi të qëndrojmë të bashkuar si popull, si institucione dhe si shtet, në mbrojtje të së vërtetës sonë historike dhe dinjitetit të luftës sonë çlirimtare. Sepse lufta jonë nuk ishte projekt i një partie apo i një rajoni; ajo ishte vullnet i një populli për të jetuar i lirë – përgjigje ndaj padrejtësisë, mohimit dhe dhunës.
Pavarësia e Kosovës është realitet dhe ky realitet qëndron përtej çdo sprove. Sot, në këtë ditë feste, përkulemi me nderim të thellë para dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për çlirimin e vendit”, tha Haxhiu./Ekonomia Online



