Osmani nga tubimi ku ishte edhe Agim Veliu: Çka i thanë asaj aktivistët? - Gazeta Express

Osmani nga tubimi ku ishte edhe Agim Veliu: Çka i thanë asaj aktivistët?

Lajme

Gazeta Express

19/01/2020 22:16

Nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë sot në tubimin e partisë së saj në Vushtrri, bashkë me kryetarin Isa Mustafën e nënkryetarin tjetër, Agim Veliun.

Osmani thotë se në Vushtrri bisedoi me qindra aktivistë, e tregon se ata ia konfirmuan se duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve për ndryshim.

“Sot në Vushtrri, në 30 vjetorin e kësaj dege të LDK-së, kisha kënaqësinë të takojë e bisedojë me qindra aktivistë, të cilët sërish e konfirmuan se nuk ka rrugë më të drejtë se sa të dëgjosh zërin e qytetarëve për ndryshim”, ka shkruar Osmani në Facebook, transmeton Gazeta Express.

Dy nënkryetarët që sot ishin ulur krah Mustafës, së fundmi kanë pasur mosmarrëveshje mbi qëndrimet lidhur me formimin e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Osmani, siç thotë edhe në postimin e saj, përkrah formimin e Qeverisë me LVV’në, ndërsa Veliu kohë pas kohe sulmon partinë e Albin Kurtit me deklarimet në media.

Veliu e Osmani, kishin përplasje në të kaluarën, por dukej se i kishin harruar ato kur gjatë fushatës zgjedhore kryetari i Podujevës e priti e e shoqëroi disa herë Osmanin si kandidate e LDK’së për kryeministre.

Mirëpo polemikat mes tyre u kthyen kur Veliu së fundmi po e kundërshtonte publikisht një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, nën arsyetimet se partia e Kurtit po donte ta largonte LDK’në nga rruga e saj proevropiane.

Osmani i reagoi menjëherë me një shkrim, ku thoshte se ishte e vetmja VV’ja që i kishte qëndruar afër LDK’së, kur ndërkombëtarët kërkonin të mos shfuqizohej Gjykata Speciale e të mos i futej thikë pas shpine aleancave më të mëdha.

Veliu madje kishte reaguar edhe kur nënkryetarja e LDK’së shkoi për t’u regjistruar në Kuvend si deputete bashkë me kreun e VV’së. /Express/