Osmani: Mickoski po përdor VLEN-in për të zhbërë barazinë shqiptare dhe për ta kthyer shtetin drejt Beogradit - Gazeta Express
string(108) "osmani-mickoski-po-perdor-vlen-in-per-te-zhbere-barazine-shqiptare-dhe-per-ta-kthyer-shtetin-drejt-beogradit"

Maqedoni

Gazeta Express

25/08/2025 16:00

Osmani: Mickoski po përdor VLEN-in për të zhbërë barazinë shqiptare dhe për ta kthyer shtetin drejt Beogradit

Maqedoni

Gazeta Express

25/08/2025 16:00

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski dhe koalicionit shqiptar qeverisës VLEN, duke i akuzuar se po tentojnë të dobësojnë përfaqësimin politik të shqiptarëve dhe të devijojnë kursin strategjik të vendit nga rruga evropiane në një orientim pro-serb.

Osmani ka theksuar se strategjia e Mickoskit për të përjashtuar BDI-në nga qeverisja nuk ka pasur për qëllim luftën kundër korrupsionit, por dobësimin e faktorit politik shqiptar në mënyrë që të mos ketë rezistencë ndaj ndryshimeve të mëdha strategjike që po ndërmerren në prapaskenë.

“Qëllimi i vërtetë i kësaj skeme ishte krijimi i një partneri shqiptar të dobët dhe të kontrollueshëm, i cili do të heshtë përballë margjinalizimit të kauzës shqiptare dhe braktisjes së rrugës së integrimeve evropiane,” shkruan Osmani.

Ai akuzoi VLEN-in se, se duke marrë pjesë në qeveri, ka pranuar të jetë pjesë e një plani për të rishikuar Marrëveshjen e Ohrit, për të relativizuar të drejtën e shumicës së Badenterit dhe për të vendosur në pikëpyetje barazinë e shqiptarëve në shtet.

“Shqiptarët në këtë qeveri jo vetëm që nuk kanë zë, por nuk kanë asnjë shenjë dinjiteti. Heshtja e tyre është alarmuese dhe dëmshme. Ajo shërben si mbulesë për devijimin e shtetit nga perspektiva evropiane dhe afërsinë në rritje me politika që favorizojnë interesat serbe në rajon,” theksoi Osmani.

Ai kujtoi se sulmet ndaj BDI-së nuk kanë qenë kurrë për motive të pastra politike, por pjesë e një fushate të orkestruar që synonte zhbërjen e ndikimit të vetmes forcë politike shqiptare që, sipas tij, nuk mund të kontrollohej.

“Mickoski e di mirë: BDI nuk është dhe nuk do të bëhet kurrë vegël e askujt. Ne kemi qenë dhe mbetemi garantues të rrugës euroatlantike dhe mbrojtës të barazisë së shqiptarëve,” deklaroi Osmani, duke bërë thirrje për bashkim të spektrit politik shqiptar për të mbrojtur interesat kolektive.

Në përmbyllje të shkrimit së tij, Osmani u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme shqiptarët do të vendosin nëse do të mbeten spektatorë të përjashtimit të tyre ose do të marrin rolin e forcës që e shtyn shtetin përpara.

“Kjo nuk është betejë për poste. Kjo është betejë për dinjitetin politik të shqiptarëve. Dhe këtë betejë do ta fitojmë, sepse e vërteta është në anën tonë, sepse shqiptarët nuk pranojnë të nënshtrohen,” përfundoi Osmani.