Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka ndarë disa fotografi nga ceremonia e shënimit të 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës. Osmani aty shihet nën shoqërinë e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, dhe, kryetarit të ri të parlamentit Dimal Basha.
Osmani në postimin e saj ka shkruar edhe se, Policia ka qenë dhe vazhdon të jetë mburojë e Republikës, me përkushtim e sakrificë.
‘‘Policia e Kosovës, 26 vjet qëndresë, besnikëri dhe guxim!
Nga ditët e para të themelimit e deri sot, Policia jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë mburojë e Republikës, me përkushtim e sakrificë.
Përulemi me nderim para policëve që ranë në krye të detyrës dhe shprehim mirënjohje për çdo polic e police që çdo ditë i mbajnë të forta themelet e shtetit tonë.
Lavdi policëve të rënë në detyrë! Urime 26-vjetori i Policisë së Kosovës!’’, ka shkruar ajo.
Ndryshe, pavarësisht se vendi kaloi procesin zgjedhor të nivelit qendror në shkurt, Kosova ende s’i ka institucionet e saj të reja.
Edhe pse Kuvendi pa zgjedhjen e disa prej anëtarëve të kryesisë, i njëjti ende s’është konstituar. Kjo pasi që kandidati për nënkryetar nga komuniteti jo shumicë serb, s’ka arritur të marrë votat e nevojshme për këtë pozitë.
Madje, procesi i zgjedhjes së tij krijoi një ngërç të ri politik. Kjo pasi që votimi, edhe pse për shumë njohës të fushës u tha se do të duhej të bëhej në pako me atë të nënkryetarit tjetër nga radhët e komunitetit jo shumicë, Basha procedoi me votim ndaras për zgjedhjen e nënkryetarit serb.
Pikërisht për këtë ndarje të votimit, Lista Srpska u ankua në Gjykatën Kushtetuese. E për këtë ankesë, Kushtetuesja, mori vendim për caktimin e masës së përkohshme për ndalimin e çdo veprimi nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, dhe e njëjta urdhëroi që masa e përkohshme të hyjë në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025. /GazetaExpress