Osmani kërkon përsëri heqjen e masave ndaj Kosovës në takim me ambasadorët e BE-së - Gazeta Express
string(82) "osmani-kerkon-perseri-heqjen-e-masave-ndaj-kosoves-ne-takim-me-ambasadoret-e-be-se"

Lajme

Gazeta Express

26/03/2025 21:11

Osmani kërkon përsëri heqjen e masave ndaj Kosovës në takim me ambasadorët e BE-së

Lajme

Gazeta Express

26/03/2025 21:11

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar përsëri nga Bashkimi Evropian (BE) t’i heqë masat “e padrejta” ndaj Kosovës, gjatë një takimi të mërkurën me ambasadorët e vendeve të bllokut evropian në Prishtinë.

“Theksova urgjencën e largimit të masave të padrejta ndaj Kosovës, që dëmtojnë qytetarët tanë dhe cenojnë vet parimet e BE-së”, shkroi Osmani në Facebook.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

Një zëdhënës i bllokut i tha Radios Evropa e Lirë në shkurt se “masat e përkohshme të BE-së janë të kthyeshme dhe Këshilli tashmë ka vendosur kushte për heqjen graduale të tyre, të cilat lidhen me marrjen e hapave nga Kosova për uljen e tensioneve në veri”.

Osmani dhe liderë të tjerë të vendit kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e masave, siç ka kërkuar së voni edhe Parlamenti Evropian.

Ndërkohë, Osmani tha se në takimin e së mërkurës me ambasadorët e vendeve të bllokut bisedoi edhe për hapat drejt konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit si dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kosova mbajti zgjedhje parlamentare me 9 shkurt dhe pritet të ketë institucione të reja së shpejti, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të enjten.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti doli e para duke i fituar 42.30 për qind të votave, apo 48 ulëse në Kuvendin me 120 sosh.

Partia Demokratike e Kosovës u rendit e dyta me 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)18.27 për qind.

Asnjë parti nuk arriti t’i fitojë të paktën 61 ulëset e nevojshme për ta formuar e vetme Qeverinë e re.

Kurti ka thënë se po pret certifikimin e rezultateve, para se anëtarët e partisë së tij të ulen dhe të shikojnë rrugën përpara. /REL

Advertisement
Advertisement
Advertisement