Vjosa Osmani nuk sheh shpresë se do të lëvizë diçka për gjetjen e një kompromisi për konstituimin e Kuvendit këtë javë, ndërsa kanë mbetur edhe pak ditë deri më 26 korrik, kur skadon afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Asaj, presidentja i ka kërkuar ta shqyrtojë “konfliktin e kompetencave kushtetuese” nga moskonstituimi dhe pasojat juridike të kalimit të këtij afati, që tha se mund të jenë “të pariparueshme”.
Gazeta Express
Presidentja e vendit nuk sheh në horizont “as konsensus e as kompromis për konstituimin e Kuvendit” brenda kësaj jave.
Në fund të javës skadon afati 30-ditor i dhënë nga Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e 26 qershorit. Ajo vendosi që deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.
Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese sot, ndërsa menjëherë doli në një konferencë për media për ta sqaruar kërkesën e dërguar.
“Dua t’ju njoftoj, të nderuara media, të nderuar qytetarë, që sot, në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese, për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve të vendit kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.
Presidentja tha se e paraqiti këtë kërkesë “pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë”.
Krahas kërkesës për “shqyrtimin e konfliktit të kompetencave kushtetuese”, Osmani bëri të ditur se i ka kërkuar Kushtetueses vendosjen e një mase të përkohshme pë pezullimin e afatit 30-ditor.
“Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pafund dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të krijoheshin në një mënyrë kundërkushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme. Kërkesa pra bëhet me qëllim që të parandalohet dëmi i pariparueshëm dhe të mbrohet interesi publik – dy kritere këto që duhet të plotësohen për çdo masë të përkohshme”, tha ajo.
Kërkesa, Osmani tha se ka “karakter preventiv” – për t’i parandaluar “pasojat e pariparueshme”.
“Duke qenë se çdo afat i detyrueshëm kushtetues dhe çdo moszbatim i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ketë edhe pasoja juridike – por ato nuk janë sqaruar në aktgjykimin paraprak – kërkesa jonë sot në esencë është kërkesë për qartësimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, tha ajo.
Presidentja tha se vendi është në një “krizë reale” e cila “mund të rëndohet edhe më shumë”.
Ajo u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike që “të veprojnë me përgjegjësi, t’i japin fund bllokadës dhe t’u japin qytetarëve atë që u takon me Kushtetutë – një Kuvend funksional dhe institucione që punojnë në interes të tyre”.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se së fundmi ia ka dorëzuar një ofertë kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj për zgjidhjen e ngërçit në Kuvend dhe formimin e qeverisë së re.
Albin Kurti dhe Fatmir Limaj, të cilët prej muajsh po qëndrojnë në kontakt, u takuan të shtunën në një restorant në qendër të Prishtinës. Ata janë takuar edhe më herët, me negociatat që nuk kanë dhënë ende rezultat.