Osmani iu referua “informacioneve të sigurisë” në reagimin e saj, AGK alarmon: Shantazh e sulm i hapur ndaj gazetarëve - Gazeta Express
string(119) "osmani-iu-referua-informacioneve-te-sigurise-ne-reagimin-e-saj-agk-reagon-alarm-shantazh-e-sulm-i-hapur-ndaj-gazetareve"

Lajme

Gazeta Express

10/09/2025 19:37

Osmani iu referua “informacioneve të sigurisë” në reagimin e saj, AGK alarmon: Shantazh e sulm i hapur ndaj gazetarëve

Lajme

Gazeta Express

10/09/2025 19:37

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar ndaj postimit të presidentes Vjosa Osmani ku sulmon gazetarët.

Postimin e Osmanit AGK e cilëson si sulm të ri ndaj mediave dhe gazetarëve.

AGK është shprehur e shqetësuar sidomos për paragrafin, ku Osmani shkruan “Asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë”.

AGK ka thënë se ky është një “shantazh i hapur publik ndaj gazetarëve dhe mediave”.

Komunikata e plotë:

Reagimi i Presidentes Osmani, sulm i ri ndaj mediave dhe gazetarëve

Pas arrestimit dhe mbajtjes së jashtëligjshme të kameramanit, Jetmir Muji, Presidentja Vjosa Osmani ka bërë një sulm të papranueshëm kundër gazetarëve dhe medieve.

Në një postim të gjatë në Facebook, Presidentja ka reaguar “ndaj përndjekjes së vazhdueshme, të kundërligjshme e të rrezikshme që media të caktuara u bëjnë vajzave të mia të mitura”.

Vajzat e Presidentes Osmani janë persona publikë. Raportimi për shkollimin e tyre, qoftë në shkollë publike apo private, është në interes të publikut dhe jo përndjekje. Të papranueshme dhe të rrezikshme janë gjuha dhe sulmet e Presidentes Osmani ndaj gazetarëve dhe mediave.

AGK-ja është posaçërisht e shqetësuar me këtë paragraf  të reagimit të Presidentes Osmani: “Asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë”.

Ky është një shantazh i hapur publik ndaj gazetarëve që vjen nga kreu i shtetit, me qasje të pakufizuar në raporte të institucioneve të sigurisë. Një mesazh i tillë kur vjen nga kreu i shtetit duhet të shërbejë si alarm për sigurinë juridike të secilit qytetar të Kosovës.

Në kohën kur gazetarët dhe mediat sulmohen vazhdimisht nga Qeveria, Presidentja e Republikës së Kosovës, duhet të jetë ajo që garanton dhe ruan lirinë e medias, detyrë dhe obligim edhe sipas Kushtetutës së Kosovës.

AGK-ja e fton Presidenten Osmani që të heqë dorë nga praktika jodemokratike e sulmeve ndaj mediave, dhe ta ushtrojë me përgjegjësi postin që ka.