Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti u nderuan sot në një ceremoni me çmimin “Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës”.
Vetëm prezenca e tyre në UP u duk se e kishte nderuar aq shumë rektorin e UP-së, Arben Hajrullahu, i cili tha i emocionuar se dy pushtetarët po e krenonin brenda e jashtë vendit, “gjithandej”.
Osmani, e cila pas disa krisjeve në marrëdhënien e saj me Kurtin, së fundmi duket në sinkron me të dhe sot iu referua atij vetëm si “kryeministër”, duke ‘harruar’ parafrazimin emëror “në detyrë”.
Presidentja, e cila do të duhej ta theksonte funksionimin kushtetues të ekzekutivit – që është në detyrë në mungesë të formimit të qeverisë së re – e nisi kështu fjalën e saj hyrëse, pasi e mori çmimin: “Faleminderit shumë i nderuar rektor dhe të nderuar të pranishëm. I nderuar kryeministër Kurti, ministre Nagavci, të nderuar dekanë, profesorë, shumë të dashur studentë e studente…”
Osmani tha tërthorazi në këtë ceremoni, se kombi “nuk ka arsye të frikësohet nga e ardhmja”, meqenëse universiteti publik po e nderonte atë dhe Kurtin.
“Një komb që nderon dijen, nuk ka asnjëherë asnjë arsye që të frikësohet nga e ardhmja”, tha ajo.
Gjykata Kushtetuese së fundmi vendosi se Kuvendi nuk është konstituuar edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb, siç e kishte shpallur Lëvizja Vetëvendosje përmes kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha.
Presidentja Vjosa Osmani kishte përdorur fjalë që kishin dalë nga një mbledhje e LVV-së në fillim të shtatorit, ndërsa argumentonte në një konferencë të thirrur për media se pse Kuvendi, sipas saj, duhetj të konsiderohej i konstituuar.
Osmani po e priste aktgjykimin nga Kushtetuesja, duke pritur që ajo do ta konsideronte Kuvendin të konstituuar. Më pas, siç thoshte, do ta thirrte partinë e parë dhe “menjëherë do të procedojë edhe me caktimin e mandatarit” për formimin e qeverisë së re.