Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe zhvillimet aktuale në rajon.
Sipas njoftimit të Presidencës, në qendër të takimit ishte koordinimi i ngushtë politik dhe institucional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe angazhimi i përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave strategjike të dy vendeve.
Osmani dhe Rama theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon, duke vlerësuar rolin konstruktiv të të dy shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë dialogun dhe bashkëpunimin.
Gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, ku u nënvizua rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë sigurinë, dialogun dhe vlerat demokratike. Në këtë kontekst, u theksua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga Donald Trump për pjesëmarrje në këtë bord, si shenjë e partneritetit me aleatët strategjikë.
Dy liderët riafirmuan vullnetin për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror, me theks të veçantë në partneritetin ekonomik, projektet e përbashkëta zhvillimore dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
Presidentja Osmani, ndërkaq, përgëzoi Kryeministrin Rama për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë si një zhvillim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit.
Kryeministri Rama uroi Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe aspiratat e tij euroatlantike.