Presidenca e Kosovës përmes një njoftimi për media kanë njoftuar për takimin që kanë mbajtur sot të Këshillit Konsultativ për Komunitete.
Në këtë takim të kryesuar nga presidentja Osmani, janë shqyrtuar çështjet e rëndësishme qe lidhen me nevojat dhe prioritetet e komuniteteve në vend, me fokus në pjesëmarrjen e tyre të barabartë në jetën shoqërore, institucionale dhe ekonomike.
Në këtë takim gjithashtu është theksuar se përfshirja e komuniteteve në proceset shtetërore është thelbësore për realizimin e të drejtave të tyre, përfshirë të drejtat sociale, dhe për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse ku çdo qytetar gëzon trajtim të barabartë.
“Anëtarët e Këshillit shprehën mirënjohjen e tyre për Presidenten Vjosa Osmani, duke vlerësuar lartë përkushtimin e saj në adresimin dhe përkrahjen e çështjeve të komuniteteve, si dhe gatishmërinë e saj për të qenë gjithmonë pranë tyre në zgjidhjen e sfidave dhe avancimin e të drejtave të barabarta për të gjithë”, thekson njoftimi.