string(83) "osmani-donatoret-humbin-besimin-ne-mapl-si-pasoje-komunat-mbesin-pa-15-milione-euro"

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 20:45

Osmani: Donatorët humbin besimin në MAPL – si pasojë komunat mbesin pa 15 milionë euro

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 20:45

Nënkryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka thënë se është refuzuar nga donatorët fondi i performancës për komunat për shkak të dështimeve të Qeverisë Kurti II.

Komunat, qeveria dhe ambasada amerikane kanë krijuar vite më parë garën e performancës së komunave për transparencë, ku komunat në njëfarë forme kanë garuar për të fituar fonde. Këtë vit, ka shumë mundësi që komunat të mos fitojnë asnjë cent.

Vlera e fondit të refuzuar, sipas Osmanit, kap shumën rreth 15 milionë euro.

“Për këto mjete financiare, Ministria e Pushtetit Lokal është refuzuar nga donatorët. Arsyeja e refuzimit është mosbesueshmëria që donatorët kanë ndaj kësaj ministrie për ta menaxhuar këtë projekt. MAPL ka nevojë për shumë punë e angazhim për ta kthyer besimin e donatorëve, jo vetëm për të mos dëmtuar këtë ministri, por për të mos i dëmtuar edhe komunat. Në detyrat e saj, MAPL ka për detyrë që t’i përkrahë komunat dhe këtë duhet ta bëjë. Nuk ka besim që këto mjete të menaxhohen nga kjo ministri për periudhën e ardhshme”, ka pohuar Osmani.

Çështja e mosbesimit të donatorëve ndaj MAPL, sipas Osmanit, ka filluar më herët dhe ai shpreson që donatorët do të gjejnë rrugë të tjera që këto fonde të alokohen te komunat, në mënyrë që të mos dëmtohen projektet e parapara prej tyre.

Nënkryetari i Fushë Kosovës ka komentuar edhe reagimin e mëhershëm të kësaj ministrie, e cila publikisht linçon drejtorin ekzekutiv të Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, për propagandë kundër ministrisë për humbjen e këtyre fondeve.

“Ministria apo kushdo tjetër nga ta mund të akuzojnë secilin qytetar të vendit, zyrtar komunal e kryetar komunash për humbjen e këtyre fondeve, por një gjë është e saktë: që Ministria e Pushtetit Lokal e ka humbur besimin e donatorëve për ta vazhduar këtë projekt, dhe me këtë fakt MAPL i ka bërë dëm të madh komunave”, ka shtuar Osmani.

Sipas tij, humbja e fondeve është e dokumentuar edhe me shkresa zyrtare që ai ka në dispozicion. Ai thekson se ky është rasti i parë që prej ekzistimit të institucioneve të Kosovës që humben fondet për shkak të mosbesimit të donatorëve.