Presidentja Vjosa Osmani do të mbledhë në takim liderët e partive nga ora 13:00, ka mësuar Gazeta Express.
Osmani e paralajmëroi këtë takim gjatë konferencës për media që e mbajti në mëngjes pasi njoftoi se ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit.
Ajo tha se sot do t’i ftojë përfaqësuesit e partive politike në një takim formal për të diskuruar për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Sot do të ftohen liderët e partive për datën e zgjedhjeve sepse siç e dini është obligim që të konsultohen paraprakisht dhe është pasojë e nevojshme menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit që të shpallen edhe zgjedhjet e reja. Por, paraprakisht duhet edhe një konsultim formal me partitë politike dhe menjëherë pas kësaj do të caktohet data”, tha Osmani në konferencë.
Osmani tha se nxori dekretin për shpërndarje të Kuvendit bazuar në Kushtetutë meqë deputetët e Kuvendit dje – që ishte afati i fundit – nuk arritën të zgjedhin presidentin e ri.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, mbrëmë i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë afatet kushtetuese përkohësisht lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pak minuta para afatit për emërimin e tij.
Për këtë, Osmani tha se është e vetëdijshme që dekreti i saj mund të kontestohet në gjykatë, por tha se mosnxjerrja e dekretit do ta çonte atë në shkelje të Kushtetutës.
“Jam plotësisht e vetëdijshme dhe e gatshme që ky dekret mund të kontestohet në GJK dhe dua ta them hapur dhe kurrë nuk kam qenë krenare se me këtë vendim. Jam shumë me e qetë të përballem për një kontestim për veprim në mbrojtje të Kushtetutës sesa për mosveprim kur rrezikohen themelet e saj”.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi kryediplomatin Glauk Konjufca për president dhe më pas edhe deputeten Fatmira Kollçaku. Partitë opozitare, që kërkuan një kandidat konsensual, nuk morën pjesë në seancë./Express/