Osmani as nuk e konfirmon dhe as nuk e mohon se është takuar me Gruevskin në Hungari derisa ishte ministër - Gazeta Express
string(106) "osmani-as-nuk-e-konfirmon-dhe-as-nuk-e-mohon-se-eshte-takuar-me-gruevskin-ne-hungari-derisa-ishte-minister"

Maqedoni

Gazeta Express

01/09/2025 17:01

Osmani as nuk e konfirmon dhe as nuk e mohon se është takuar me Gruevskin në Hungari derisa ishte ministër

Maqedoni

Gazeta Express

01/09/2025 17:01

Takimet e ministrave të jashtëm janë informacione të klasifikuara dhe nuk mund të zbulohen me ligj. Këtë e deklaroi sot nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ish-ministri i jashtëm dhe kandidati aktual për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve nëse ishte takuar me ish-kryeministrin dhe kreun e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, tani i arratisur në Hungari, transmeton Portalb.mk.

Ai nuk dha përgjigje specifike për pyetjen, duke theksuar se takimet e ministrave të jashtëm janë informacione të klasifikuara dhe nuk mund të zbulohen me ligj.

“Takimet e ministrit të Punëve të Jashtme janë takime të klasifikuara dhe nuk mund të zbulohen me ligj. Por edhe nëse do të kishte diçka të tillë, do të ishte në kuadër të funksionit të ministrit të Punëve të Jashtme dhe ky është informacion i klasifikuar”, tha ai.

Koalicioni VLEN dje i kërkoi Bujar Osmanit të përgjigjej pse ndodhej në Hungari për t’u takuar me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski.

“Çfarë kërkove prej atij që iku nga drejtësia?”, pyetën nga VLEN.

Sipas koalicionit, pikërisht për këtë arsye, Osmani nuk duhet të flasë për vettingun dhe reformat dhe të predikojë moral politik.

Disa ditë më parë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse ishte e vërtetë se kishte kërkuar ndihmë nga Hungaria për të përmirësuar marrëdhëniet me VMRO-DPMNE-në, Osmani tha se akuza të tilla ishin tallje qesharake.

“Këto tallje partiake janë bërë qesharake, unë tregova qëndrimin tim dje, populli është ngritur, kjo nuk është çështja për të cilën po kërkojmë ndihmë, nuk po kërkojmë ndihmë nga asnjë parti politike, unë po kërkoj vota nga çdo qytetar. Unë mbështetem te populli, te kjo lëvizje dhe qëllimi im në këto zgjedhje është vetëm të drejtoj institucionalisht energjinë e rezistencës, lëvizjen e rezistencës që u krijua në Çair, për të udhëhequr referendumin, referendumin që do të mbahet në Çair më 19 tetor”, tha ai.

Ai akuzoi qeverinë se në fakt po përpiqet të mbulojë mosfunksionimin dhe dështimin e saj për të siguruar një të ardhme evropiane për vendin me sulmet e saj ndaj tij.

Akuzat dhe kundër-akuzat vijnë në përpara fushatës së zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë. 

Sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, fushata zgjedhore për raundin e parë fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë vazhdimisht deri më 17 tetor, ndërsa fushata për raundin e dytë zgjedhor do të zgjasë deri më 31 tetor. Megjithatë duket se partitë e kanë nisur para kohe fushatën.