Presidentja Vjosa Osmani tha se Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, e ka informuar zyrtarisht se programi i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën do të vazhdojë.
Osmani tha se ky lajm vjen pas takimeve që ajo zhvilloi në Washington, ndërsa tha se programi i MCC ka ndikim transformues për sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Pas takimeve të shkëlqyeshme në Washington D.C ku diskutuam për rëndësinë e Kompaktit të MCC për Kosovën, jam informuar edhe zyrtarisht nga Zv. Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, se Administrata Trump ka miratuar vazhdimin e këtij programi për Kosovën — një program me ndikim transformues për sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën! Mirënjohje e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka shkruar ajo.
Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë amerikane dhe Qeveria e Kosovës kishin lansuar zbatimin e programit kompakt në prill të vitit të kaluar derisa në krye të Administratës amerikane ishte Joe Biden.
Ky program kompakt është i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër dhe për dobinë e tij atëherë kishte folur ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, që kishte thënë se ky program është i vetmi në Europë që ka MCC-ja dhe se është në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh.
Nga kjo vlerë, 202 milionë janë nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera janë kontribut i Qeverisë së Kosovës.
Por, një vit më vonë, në prill të 2025-ës kur në krye të Shtëpisë së Bardhë ishte Donald Trump, Reuters kishte raportuar se Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) që udhëhiqej nga Elon Musk po i jep fund punës së kësaj korporate. Musk nuk është më në krye të DOGE.
Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) është një agjenci për ndihma jashtë vendit e e Shteteve të Bashkuara e themeluar nga Kongresi i SHBA-së në vitin 2004./Express/
Prishtinë, 30 korrik 2025 – Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, po zgjeron praninë...