OSBE i dorëzon Policisë së Kosovës pesë automjete për njësinë K9 - Gazeta Express
string(64) "osbe-i-dorezon-policise-se-kosoves-pese-automjete-per-njesine-k9"

Lajme

Gazeta Express

26/06/2025 12:47

OSBE i dorëzon Policisë së Kosovës pesë automjete për njësinë K9

Lajme

Gazeta Express

26/06/2025 12:47

Misioni i OSBE-së në Kosovë së fundi i ka dorëzuar Policisë së Kosovës pesë automjete të specializuara për njësinë K9, me qëllim për të përmirësuar kapacitetet operacionale të ekipeve policore me qen shërbimi.

Automjetet, të modifikuara posaçërisht për të mundësuar transportin e sigurt dhe efikas të qenve policorë dhe kujdestarëve të tyre gjatë misioneve kritike, do të përmirësojnë lëvizshmërinë dhe reagimin e ekipeve K9 të angazhuara në operacione të ndryshme sigurie.

Për më tepër, në një njoftim për media thuhet se “Misioni ka mbikëqyrur riparime thelbësore në qendrat ekzistuese të qenve të njësisë K9. Këto përmirësime përfshijnë sisteme të avancuara ventilimi, përforcime strukturore dhe kushte më të mira higjienike, për të siguruar mirëqenien dhe gatishmërinë e qenve policorë. Riparimi i qendrave është një pjesë thelbësore e ruajtjes së standardeve të larta të kujdesit dhe sigurimit që oficerët qenorë të jenë në gjendje optimale për të kryer detyrat e tyre të specializuara”.

“Siguria e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë mbetet prioriteti ynë kryesor,” – ka thënë Ambasadori Gerard McGurk, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, gjatë ceremonisë së dorëzimit.

“Dorëzimi i automjeteve të specializuara dhe rinovimi i qendrave të njësisë K9 përbëjnë hapa konkretë drejt forcimit të sigurisë publike dhe ndërtimit të besimit ndërmjet të gjitha komuniteteve në Kosovë,” – shtoi ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, theksoi se bashkëpunimi i gjatë me OSBE-në ka qenë thelbësor për avancimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës

Kjo nismë është pjesë e një projekti jashtëbuxhetor të financuar nga Qeveria e Gjermanisë dhe Bashkimi Evropian, me fokus në forcimin e kapaciteteve qenore të shërbimeve policore të Kosovës për zbulimin dhe konfiskimin e armëve të vogla dhe të lehta (SALË), municionit dhe eksplozivëve – prioritete kyçe për ruajtjen e sigurisë publike. Si pjesë e të njëjtit projekt, Misioni ndërtoi në vitin 2023 një poligon trajnimi për njësinë K9.

“Përmes këtij mbështetjeje, Misioni i OSBE-së në Kosovë po kontribuon në zhvillimin afatgjatë dhe modernizimin e njësisë K9 të policisë. Këto përmirësime jo vetëm që rrisin efikasitetin operativ, por gjithashtu tregojnë përkushtim të përbashkët për sigurinë, profesionalizmin dhe mirëqenien e qenve policorë. Kapaciteti i forcuar i njësisë K9 do të luajë një rol kyç në luftimin e trafikimit të paligjshëm të armëve dhe eksplozivëve, duke krijuar një mjedis më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës” thuhet tutje në njoftim.