Policia e Los Anxhelosit e zbatoi me shpejtësi orën policore në qendër të qytetit të martën në mbrëmje, duke kryer arrestime menjëherë pasi ajo hyri në fuqi, mes protestave kundër politikave të presidentit Donald Trump për dëbimin masiv të imigrantëve.
Anëtarët e Gardës Kombëtare qëndruan në vëzhgim pas mburojave plastike, por nuk u duk se u përfshinë në arrestimin e protestuesve, raporton Associated Press.
Disa orë më vonë, shumë nga protestuesit u shpërndanë, ndonëse përplasjet sporadike vazhduan, por ishin shumë më të vogla se netët e mëparshme. Zyrtarët thanë se ora policore ishte e nevojshme për të ndaluar vandalizmin dhe plaçkitjet nga protestues nxitës që synonin të shkaktonin trazira.
Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom, më herët e akuzoi Trumpin se ka vendosur “rrjet ushtarak” mbi qytetin e dytë më të madh të vendit përmes përdorimit të trupave të Gardës Kombëtare. Trumpi gjithashtu ka dislokuar marinsa, megjithëse asnjë marins nuk u pa në rrugë të martën.
Trumpi ka aktivizuar mbi 4.000 trupa të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsa, pavarësisht kundërshtimeve nga udhëheqësit e Los Anxhelosit dhe Kalifornisë. Fillimisht, ata u dislokuan për t’i mbrojtur ndërtesat federale.
Protestat janë përhapur në qytete të tjera të vendit, përfshirë në Dallas dhe Austin në Teksas, Çikago dhe Nju Jork, ku një mijë njerëz u mblodhën dhe policia kreu arrestime të shumta.
Kryetarja e Los Anxhelosit, Karen Bass, shpalli gjendjen e emergjencës lokale në ditën e pestë të protestave dhe tha se ora policore do të jetë nga ora 20:00 e së martës deri në orën 6:00 të mëngjesit të së mërkurës. Ajo tha se pritet të zgjasë për disa ditë.
“Kemi arritur në një pikë kthese” pasi 23 biznese u plaçkitën, tha Bass gjatë një konference për shtyp të martën.
Ora policore mbulon një zonë prej 2.5 kilometra katrorë në qendër të qytetit, ku janë përqendruar protestat që nga e premtja. Qyteti i Los Anxhelosit ka një sipërfaqe rreth 2.300 kilometra katrorë.
Ora policore nuk vlen për banorët që jetojnë në zonën e përcaktuar, për personat pa strehë, për median me akreditim ose për punonjësit e sigurisë publike dhe të emergjencës, sipas shefit të policisë së Los Anxhelosit, Jim McDonnell.
McDonnell tha se sjellja “e paligjshme dhe e rrezikshme” është përshkallëzuar që nga e shtuna.
“Ora policore është një masë e nevojshme për të mbrojtur jetën dhe për të ruajtur pronën pas disa ditëve radhazi të trazirave në rritje në qytet”, tha McDonnell.
Trumpi e ka përshkruar Los Anxhelosin në terma alarmues që, sipas Bass dhe Newsom, nuk janë aspak të vërtetë.
Në një fjalim publik të martën në mbrëmje, Newsom e quajti veprimin e Trump “fillim i një sulmi ndaj demokracisë”.
“Kalifornia mund të jetë e para, por është e qartë se nuk do të përfundojë këtu. Shtetet e tjera janë në radhë”, tha ai.
Newsom paralajmëroi qytetarët të mos nxisin dhunë, por i nxiti të kundërshtojnë veprimet e presidentit.
“Ajo që Donald Trump dëshiron më shumë është nënshtrimi juaj, heshtja juaj. Të bëheni bashkëpunëtorë në këtë moment”, tha ai. “Mos ia mundësoni këtë”.
Protestat nisën të premten pasi zyrtarët federalë për imigracionin arrestuan dhjetëra punëtorë në Los Anxhelos. Protestuesit bllokuan një autostradë kryesore dhe dogjën makina gjatë fundjavës, dhe policia reagoi me gaz lotsjellës, plumba gome dhe granata shurdhuese.
Protestat janë përqendruar kryesisht në qendër të qytetit me 4 milionë banorë. Mijëra njerëz janë mbledhur në mënyrë paqësore para ndërtesës së Bashkisë dhe qindra të tjerë protestuan pranë një kompleksi federal ku ndodhet një qendër ndalimi për imigrantët e arrestuar gjatë bastisjeve.
Pavarësisht protestave, zyrtarët federalë i kanë vazhduar bastisjet kundër imigrantëve në të gjithë qarkun, me zyrtarë lokalë dhe grupe komunitare që raportojnë praninë e tyre në biblioteka, autolarje dhe dyqane si Home Depot./REL/