Kryeministri hungarez Viktor Orban ka folur edhe një herë për vendimin e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës në rastin Milorad Dodik, duke thënë se Hungaria nuk do ta njohë atë vendim.
Në një nga fjalimet e tij të postuara në rrjetin social X, Orban tha se zyrtarët e BE-së duan ta shkarkojnë Dodikun, transmeton Ballkani.info.
“Hungaria nuk e njeh vendimin e gjykatës kundër Presidentit Milorad Dodik. Përpjekjet e mbikëqyrësve të emëruar nga BE-ja për ta shkarkuar atë për kundërshtimin e axhendës së tyre globaliste janë të papranueshme. Ai është udhëheqësi legjitim dhe i zgjedhur i Republika Srpska – ne kundërshtojmë fuqimisht ndërhyrjen e Brukselit në çështjet sovrane. Asgjë nuk mund të jetë mbi vullnetin e popullit”, tha Orban.
Deklarata të ngjashme janë bërë më parë nga Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto.
Në një reagim në rrjetin social X, Szijjarto tha se Dodik u zgjodh në mënyrë demokratike nga populli.
Ai tha se ishte koha për të folur me udhëheqësit në Ballkanin Perëndimor.
“Është koha që të gjithë ta kuptojnë se çështja nuk është të flasim për udhëheqësit e zgjedhur në Ballkanin Perëndimor, por të flasim me ta”, tha më parë Szijjarto.