Orav: Kosova mbetet e ndjeshme nga dezinformatat serbo-ruse - Gazeta Express
string(58) "orav-kosova-mbetet-e-ndjeshme-nga-dezinformatat-serbo-ruse"

Lajme

Gazeta Express

25/11/2025 12:48

Orav: Kosova mbetet e ndjeshme nga dezinformatat serbo-ruse

Lajme

Gazeta Express

25/11/2025 12:48

Kosova mbetet e ndjeshme ndaj manipulimit dhe ndërhyrjes me dezinformata në çështjet politike dhe të sigurisë, ka thënë ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav. 

Ai në Samitin e Paqes dhe Demokracisë në Kosovë me temën “Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe shkatërrimi i normave demokratike”, ka thënë se Kosova renditet e 40-ta nga 41 shtete te Indeksi Evropian i Edukimit Medial.

Në këtë samit, ai theksoi se “dezinformata, polarizimi dhe sulmi i normave demokratike kërcënojnë themelimin e besimit dhe angazhimin qytetar”.

“Në mbarë Evropën dhe përtej, dezinformata kërkon të dobësojë besimin në institucione, të polarizojë shoqëritë dhe të shfrytëzojë divizonet, dhe Kosova nuk bën përjashtim. Duke u bazuar në gjetjet e ‘hibrid.info’ dezinformata në gjuhën shqipe shpërndahet më së shumti në rrjete sociale, ndërsa në gjuhën serbe më së shpeshti në media tradicionale me narracione që shpesh barazohen me dezinformatën ruse, specifikisht në çështjet politike dhe të sigurisë. Si rezultat, hapësira e Kosovës mbetet e ndjeshme ndaj manipulimit dhe ndërhyrjes… Kosova renditet e 40-ta nga 41 shtete te Indeksi Evropian i Edukimit Medial, duke reflektuar vetëdije të dobët të institucioneve në edukimin medial”, ka thënë ai.

Stephen B. Heintz, i cili është president i Fondit të Vëllezërve “Rockefeller” tha se demokracia duhet të mbrohet nga të gjithë akterët që të zgjidhen krizat dhe problemet.

“Demokracia nuk mbrohet vetë, ajo varet nga ne; qytetarët, gazetarët, akademikët, aktivistët, edukatorët, themeluesit dhe politikëbërësit, duke punuar bashkë që të zgjidhim krizat e problemet, të rikthejmë besimin, dhe ne ndërtojmë një lloj ‘indi të lidhur’ në shoqëri. Kur erdha për vizitë për herë të parë në 2023, ishte e qartë edhe atëherë se shoqëria civile është rrahja e zemrës e demokracisë së këtij shteti. Se vitet që do të vinin pas asaj periudhe do të ishin të vështira, të gjithë e dinin. Por, shoqëria civile gjithashtu e dinte rolin e rëndësishëm dhe thelbësor për të cilën ata u thirrën të punonin në projektin demokratik të Kosovës. Vite më pas, organizata të shoqërisë civile, duke punuar me aktivistë lokalë dhe individë të guximshëm, kanë bërë më shumë se të kryejnë shërbime dhe të avokojnë për reforma kyçe, ata kanë ushqyer zakonet e qytetarisë, të cilat Tocqueville i quajti ‘zakone të zemrës’, që janë të domosdoshme për demokraci të gjallë”, ka shtuar ai.

Ai ka shtuar se “paqja që ekziston vetëm në letër, nuk është paqe e qëndrueshme”.

“Është një e vërtetë që duhet thënë me zë, pa marrë parasysh sa e vështirë, nuk ka paqe që zgjat në Kosovë ose Ballkanin Perëndimor pa një dialog të sinqertë mes shqiptarëve dhe serbëve. Thjesht nuk ka alternativë. Ky dialog nuk mund të zvogëlohet në negociata mes qeverive, ose takime në mes Brukselit dhe Beogradit. Këto janë të nevojshme, sigurisht, por paqja që ekziston vetëm në letër, nuk është paqe e qëndrueshme”, është shprehur ai.

E drejtori ekzekutiv i “S’Bunker”, Bardhi Bakija tha se Ballkani Perëndimor është raundi ideali i testimit për betejën e informatës.

“Regjioni ka rrëshqitur në ankthe të vjetra, mite etnike të bëra, nacionalizëm performativ, konflikte të ngrira që vazhdimit ri-shpikin veten dhe klasa politike, që me kënaqësi dhe rehati shfrytëzon frikën. Në të njëjtën kohë, aktorë globalë kanë zbuluar se Ballkani Perëndimor është raundi ideal i testimit për betejën e informatës. Shënjestra është e sofistikuar, e lirë dhe e pandalueshme, ndërsa dëmi është masiv. Por, kredibiliteti ka më shumë rëndësi. Dialogu pa kredibilitet nuk mund të formësojë asnjë lloj paqe. Këtu fillon puna ynë”, përfundoi Bakija.

Samiti i Paqes dhe Demokracisë në Kosovë me temën “Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe shkatërrimi i normave demokratike”, ka vijuar me disa panele diskutimi. /KSP