Ora e Albin Kurtit, i ka më pak se 6 ditë për ta bërë qeverinë - Gazeta Express
string(61) "ora-e-albin-kurtit-i-ka-me-pak-se-6-dite-per-ta-bere-qeverine"

Ora e Albin Kurtit, i ka më pak se 6 ditë për ta bërë qeverinë

Gazeta Express

29/01/2020 16:05

Gazeta Express ka filluar numërimin së prapthi për ditët që i kanë mbetur kreut të Lëvizjes Vetëvendosje për t’u bërë kryeministër. Një afat i tillë kohor për Kurtin është aktivizuar pasi presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, më 20 janar ka lëshuar një dekret përmes të cilit i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, emrin e Albin Kurtit si kandidat potencial për kryeministër. Afati Kurtit i skadon më 4 shkurt. Kohën e saktë që i ka mbetur Kurtit në dispozicion për ta bërë Qeverinë mund ta shihni në ballinën e Gazetës sipër këtij artikulli.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje assesi nuk po arrijnë të gjejnë dakordim për krijimin e një koalicioni në bazë të së cilit do të qeverisnin për katër vjetët e ardhshëm.

Lexo Edhe:

Edhe përkundër faktit që kanë kaluar më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të 6 tetorit, dy partitë insistojnë në ofertat e tyre, duke mos lëshuar asnjëra palë pe.

Partia e Isa Mustafës insiston në ofertën e bërë më 8 janar sipas të cilës kërkon pesë ministri, kryetarin e Kuvendit dhe propozimin për Presidentin, ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk mund të kthehen parapa në zhvillimet e 26 dhjetorit ku Glauk Konjufca ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kurti në një prononcim për media dje pas takimit ka lënë të kuptohet se LDK-ja insiston në ofertën e tyre dhe, sipas tij, nuk mund të ketë marrëveshje me qasjen “merre ose lëre”.

Në takimin e fundit mes dy partive kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të QUINT-it dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.

Në një deklaratë të përbashkët nga QUINT-i kanë sqaruar se nuk është roli i tyre të ndërhyjnë në negociatat për krijimin e qeverisë, por vetëm për t’u njoftuar me diskutimet dhe ofertat që palët ia kanë bërë njëra-tjetrës.

Ndërkaq, tani mbetet të shihet se cili do të jetë modaliteti që dy partitë do ta gjejnë për të shkuar drejt një marrëveshjeje dhe nëse Albin Kurtit, i cili ia doli ta çojë Vetëvendosjen drejt fitores në zgjedhjet e 6 tetorit, i ka mbetur edhe ndonjë kartë (opsion), për ta shpëtuar fitoren dhe për ta drejtuar Qeverinë e re dhe nëse Isa Mustafa do t’i ndihmojë si partner në këtë synim. /GazetaExpress/