Optimizëm në Lindje, skepticizëm në Jug - Gazeta Express
string(38) "optimizem-ne-lindje-skepticizem-ne-jug"

Optimizëm në Lindje, skepticizëm në Jug

OP/ED

Gazeta Express

20/11/2023 10:24

Shkruan Ditmir Bushati

Në pamje të parë, paraqitja e paketës së zgjerimit nga ana e Komisionit Europian, më 8 nëntor, ishte një ngjarje me përmasa të rëndësishme për sa i përket treshes së Fqinjësisë Lindore të kontinentit. Komisioni Europian rekomandoi fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE për Ukrainën dhe Moldavinë, dhe statusin e vendit kandidat për në BE të Gjeorgjisë. Këto rekomandime vijnë pothuajse një dekadë pas protestave në Kiev, kur presidenti i atëhershëm ukrainas refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e asociimit me BE-në. Në një mënyrë a tjetër, protestat e Maidan-it ishin shkëndija që ndezi zjarrin europian të Ukrainës.

Lexo Edhe:

Megjithatë, duke shkuar drejt takimit të nivelit të lartë të krerëve të shteteve të BE-së që do të mbahet në muajin dhjetor, disa gjëra mbeten të paqarta. Siç dihet, Komisioni ka tagër rekomandues, ndërkohë që vendimet merren nga vendet anëtare të BE-së në mënyrë unanime. Këto vendime në një pjesë të mirë të rasteve janë objekt i negociatave dhe interesave të shumëllojshme mes vetë vendeve anëtare. Në kushtet kur Ukraina është në luftë, ndërsa Moldavia dhe Gjeorgjia me pjesë të territorit të tyre nën trupat ruse, ekzistojnë pikëpyetje në lidhje me meritat e propozimit të Komisionit Europian dhe afatet kohore që do të ndiqen për rrugëtimin e tyre europian.

Kur Komisioni Europian në qershor të vitit 2022 rekomandoi statusin e kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, ai parashtroi respektivisht shtatë dhe nëntë kushte për t’u përmbushur nga këto vende, me qëllim fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE. Këto kushte ishin kryesisht, por jo ekskluzivisht, të lidhura me reformat e shtetit të së drejtës. Nëse i referohemi raporteve të Komisionit, Ukraina ka plotësuar vetëm katër nga shtatë kushte dhe Moldavia gjashtë nga nëntë kushte. Ndërsa Gjeorgjia, sipas Komisionit, ka plotësuar vetëm tre nga dymbëdhjetë kushtet e vendosura verën e kaluar për të marrë statusin e kandidatit.

Duhet thënë se raportet e Komisionit Europian për treshen e Fqinjësisë Lindore pasqyrojnë klimën e favorshme për zgjerimin që ekziston në BE, si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë dhe trazirave gjeopolitike që e pasuan atë. Gjithashtu, viti i ardhshëm është viti i zgjedhjeve në Parlamentit Europian dhe konstituimit të Komisionit të ri Europian. Përkundër mangësive në procesin e reformave të tri vendeve të Fqinjësisë Lindore, Komisioni ka fituar kohë, duke treguar gadishmëri për të ecur përpara me këto vende përmes një qasje kushtëzuese, përpara përfundimit të mandatit të tij.  

Kështu, Komisioni Europian do t’i raportojë vendeve anëtare të BE-së mbi “progresin dhe pajtueshmërinë në të gjitha fushat që lidhen me hapjen e negociatave” deri në mars të vitit 2024. Kjo i krijon mundësi Ukrainës dhe Moldavisë për të plotësuar kushtet deri në atë kohë, dhe në të njëjtën kohë, vendeve anëtare të BE-së për të pasur kontroll politik mbi procesin.  Kjo do të thotë gjithashtu se negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë nuk do të fillojnë realisht deri në pranverën e vitit 2024.

Për Gjeorgjinë, raporti përshkruan nëntë kushte që duhen përmbushur me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat. Shumica e tyre janë kushte të riformuluara nga viti 2022, shtuar këtu edhe çështje që kanë të bëjnë më linjëzimin e politikës së jashtme. Megjithatë, rruga e Gjeorgjisë drejt marrjes së statusit kandidat dhe nisjes së bisedimeve për anëtarësim duket e largët, për shkak të tendencave autoritariste në rritje.

Me tri propozimet e mësipërme, të cilat u pritën me entuziazëm në Kiev, Kishinau dhe Tbilisi, Komisioni Europian ka vizatuar një vijë ndarëse mes botës euroatlantike dhe asaj euroaziatike. Ndërkohë, konteksti i ri gjeopolitik duhet kombinuar me një qasje të bazuar në merita. Angazhimi për një proces afatgjatë, që bazohet tek merita, i imponon Komisionit që të këmbëngul në përmbushjen e reformave, sidomos në fushën e sundimit të së drejtës në ekonomi. Githsesi, mbetet të shihet nëse ky optimizëm do të jetë forca shtytëse e procesit të anëtarësimit të këtyre vendeve në BE, apo ato do të ndjekin fatin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që gjithnjë e më tepër, po dominohen nga skepticizmi dhe cinizmi për këtë proces.

Nëse raporti i Komisionit Europian kishte rekomandime për tre vendet e Fqinjësisë Lindore, për vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Bosnje-Hercegovinës, nuk kishte risi. Në traditën e viteve të fundit, paketa e zgjerimit nuk prodhoi lajm dhe as debat. Në stilin e lojës së dyfishtë, si Komisioni Europian ashtu dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nënvizuan progresin e reformave, megjithëse gjërat po ecin me ritmin e breshkës.

Mali i Zi dhe Serbia kanë nisur bisedimet për anëtarësim në BE, respektivisht në vitin 2012 dhe 2014. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vitin e kaluar. Që prej vitit 2017, kur Mali i Zi ka mbyllur tre kapituj të negociatave me BE-në, asgjë s’ka ndodhur. Mungesa e stabilitetit politik në Mal të Zi gjatë dy viteve të fundit ka pasur ndikim negativ në procesin e reformave. Serbia ka ngecur për shkak të çimentimit të pushtetit në një dorë të vetme, mospërparimit në procesin e normalizimit me Kosovën dhe moslinjëzimit të politikës së jashtme me atë të BE-së.

Horizonti për nisjen e bisedimeve për grup kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës nuk duket ende plotësisht i hapur për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pavarësisht rekomandimit të Komisionit Europian dhe pavarësisht faktit që të dy vendet janë ulur në tryezën e shqyrtimit analitik të legjislacionit vendas me atë të BE-së që prej vjeshtës së vitit 2018.

Edhe më e paqartë paraqitet e ardhmja europiane e Kosovës. Ndonëse ka kaluar një vit nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, aplikimi nuk është shqyrtuar ende, në mungesë të konsensusit nga ana e vendeve anëtare të BE-së, pesë prej të cilave nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Agresioni rus kundër Ukrainës u konsiderua si një moment kthese, si një moment transformues ku demokracitë në njëfarë mënyre u rreshtuan përkrah Ukrainës. Mirëpo kjo luftë, në mënyrë paradoksale, ka përforcuar një politikë transaksionale të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Veçanërisht në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ku synohet shkëputja e Serbisë nga orbita ruse, duke sakrifikuar jo vetëm çështjet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës brenda Serbisë, por edhe duke toleruar veprimet e Serbisë në kurriz të fqinjëve dhe stabilitetit rajonal.

Raporti i Komisionit Europian rekomandon “nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE me Bosnje-Hercegovinën, pasi të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit”. Më pas, ashtu si me Ukrainën dhe Moldavinë, Komisioni pritet t’i raportojë vendeve anëtare të BE-së mbi progresin e bërë deri në mars të vitit 2024. Bosnje-Hercegovina mori statusin e kandidatit për në BE në vitin 2022. Një vendim ky i debatuar, për shkak të mungesës së reformave domethënëse. Megjithatë, vendimi duket se u nxit për shkak të mjedisit të sigurisë në Europë, si pasojë e luftës në Ukrainë.

Bosnje-Hercegovina mbështetet nga Austria, Sllovenia, Kroacia dhe Hungaria, me argumentin se nëse BE lëviz drejt lindjes, duhet të lëviz edhe në drejtim të jugut të kontinentit. Aq më tepër që vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë dy dekada që presin në paradhomën e BE-së, krahasuar me treshen e vendeve të Fqinjësisë Lindore.

Ukraina dhe Moldavia janë para kushteve specifike që duhen përmbushur deri në fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Ndërsa për Bosnje-Hercegovinën do të jetë më e vështirë, si për Komisionin Europian, ashtu edhe për vendet anëtare të BE-së, që të përcaktojnë nëse “shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit” është përmbushur.

Në vitin 2019, Komisioni Europian përcaktoi 14 prioritete kyçe për Bosnje-Hercegovinën, të cilat thuajse nuk janë përmbushur për shkak të paralizës së vazhdueshme politike të vendit. Është e vështirë të mendohet që deri në marsin e vitit të ardhshëm, përiudhë kur Komisioni do të raportojë para vendeve anëtare të BE-së, Bosnje-Hercegovina do t’i përmbush këto kushte.

Skepticizmi dhe cinizmi për paketën e zgjerimit në vendet e Ballkanit Perëndimor është i kuptueshëm, pas pritjes së gjatë për anëtarësim në BE që nga Samiti i Selanikut i vitit 2003. Procesi i integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor është karakterizuar nga mungesa e fuqisë transformuese dhe sakrifikimi i rregullave të demokracisë dhe sundimit të së drejtës në altarin e stabilitetit të sipërfaqshëm. Edhe nëse ka protesta apo lëvizje në mbështetje të demokracisë dhe sundimit të së drejtës, ato zakonisht nuk janë të kuadruara brenda procesit të integrimit në BE. Duhet pranuar se, Bashkimi Europian nuk ka shërbyer si agjent ngjizjeje i demokracisë në Ballkanin Perëndimor, por si reagues ndaj krizave ciklike të shkaktuara në një pjesë të mirë të rasteve nga mungesa e respektimit të rregullave të demokracisë dhe sundimit të së drejtës.

Plani i Rritjes i paraqitur nga Komisioni Europianm nuk është i mjaftueshëm për të kompensuar mungesën e fuqisë transformuese dhe as nuk garanton konvergjencën aq shumë të dëshiruar ekonomike të vendeve të rajonit me atë të BE-së, e as me fqinjët që janë bërë pjesë e BE-së nga viti 2004. Tani që zgjerimi është rikthyer në rendin e ditës, Komisioni Europian duhet të jetë i guximshëm, i vërtetë dhe madje ndërhyrës në trajtimin e vendeve kandidate, në lidhje me demokracinë, sundimin e së drejtës dhe linjëzimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Problemet e brendshme të BE-së me respektimin e demokracisë dhe sundimin e së drejtës nuk duhet të projektohen në raport me vendet kandidate. Kësisoj, kushtëzime të rrepta duhet të zbatohen për anëtarët e ardhshëm për të shmangur gabimet që BE ka bërë në lidhje me anëtarët e saj. Kushtëzimi demokratik nuk duhet të jetë i negociueshëm.

Reformat janë padyshim të rëndësishme, por mungojnë zgjidhjet efektive. Përndryshe Komisioni nuk do të përsëriste vit pas viti të njëjtat kërkesa të paplotësuara përkundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është e paqartë se si çështjet e pazgjidhura do të trajtohen ndryshe tani. Të bësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshme duket e paarsyeshme në një kohë kur historia kërkon veprime të guximshme dhe të jashtëzakonshme. Për shembull, planet e anëtarësimit për secilin vend, së bashku me raportet e monitorimit periodik për çështjet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, duke huazuar stilin shtrëngues të FMN-së, apo “raportet Priebe” që janë përdorur në mënyrë efektive në të shkuarën, shoqëruar me përfshirjen e shoqërisë civile, medias dhe grupeve të interesit, do të prodhonin një konkurrencë të shëndetshme në rajon dhe njëkohësisht përmbushje të objektivave drejt anëtarësimit në BE.

Një nga elementet më të spikatura të paketës së zgjerimit është vendosja e theksit të anëtarësimit në BE si një “zgjedhje strategjike”. Me këtë qasje, linjëzimi i politikës së jashtme dhe të sigurisë nga vendet që synojnë anëtarësimin në BE është një parakusht që demonstron vlera të përbashkëta dhe orientim strategjik.

BE-ja është projekti i paqes që duhet mbrojtur. Interesat e sigurisë e kanë nxitur vijimësisht procesin e zgjerimit të BE-së që prej krijimit të saj. E ardhmja është në rrezik, nëse nuk investohet në menyrë strategjike për çështjet e sigurisë. Janë interesat e paqes dhe stabilitetit që nxitën angazhimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor për t’i dhënë fund luftrave dhe konflikteve të përgjakshme. Ky proces i konsolidimit demokratik dhe zhvillimit ekonomik e social është larg së qeni i përfunduar, edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor, në dallim prej treshes së Fqinjësisë Lindore, janë të rrethuar nga NATO dhe BE, e njëkohësisht janë të ndërlidhur ekonomikisht me BE-në.

Vështruar në këtë konktest, takimi i nivelit të lartë të vendeve anëtare të BE-së në muajin dhjetor është i rëndësishëm për të përcaktuar rrugën përpara të vendeve kandidate, teksa BE-ja përballet me një tablo komplekse ku i duhet të sinkronizojë zgjerimin në jug dhe në lindje të kontinentit, reformën institucionale të një BE-je të zgjeruar dhe sigurinë ekonomike. Për t’i paraprirë kështu zgjedhjeve të Parlamentit Europian të muajit qershor 2024, përcaktimit të prioriteteve dhe rishikimit afatmesëm të Kornizës Financiare Shumëvjeçare, që do të tregojnë se ku dhe si do të shpenzohen burimet e BE-së në vitet e ardhshme. Vetëm kështu e ardhmja nuk do t’i ngjante të shkuarës dhe shumëçka do të ndryshonte në mënyrë domethënëse në rajonin tonë. Në të kundërt, njerëzit do të vazhdojnë të braktisin rajonin në kërkim të një jete më të mirë, pavarësisht fjalëve të bukura për të ardhmen e ndritur të kontinentit tonë.