Opsioni i qeverisë së "opozites" pas 32 dështimeve në Kuvend, a kanë vota për të Rashiq, Balje e Berisha? - Gazeta Express
string(100) "opsioni-i-qeverise-se-opozites-pas-32-deshtimeve-ne-kuvend-a-kane-vota-per-te-rashiq-balje-e-berisha"

Lajme

Gazeta Express

15/06/2025 14:22

Opsioni i qeverisë së “opozites” pas 32 dështimeve në Kuvend, a kanë vota për të Rashiq, Balje e Berisha?

Lajme

Gazeta Express

15/06/2025 14:22

Sot për të 32’tën herë ka dështuar konstituimi i përbërjes paralamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Sërish kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e hodhi në votim komisionin për votim të fshehtë. Sërish dështoi. Por, para seancës tre deputetë të komuniteteve– Nenad Rashiq, Veton Berisha e Duda Balje- u deklaruan për “qeverinë e opozitës”.

Kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, tha se “ende është herët” që të flitet për mundësinë e përfshirjes së tij në një qeveri me partitë e ish-opozitës.

“Ende është herët. Shumë është herët që të flitet. Kam thënë edhe më herët: normale është që kandidatin për kryeparlamentar e nominon ose e propozon Vetëvendosja. Shikoni dhe ju vetë po e kuptoni që qe disa muaj po merremi me këtë problematikë, kështu që kur vjen koha, flasim”, tha ai.

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim tha se s’ka vija të kuqe për bashkëpunim me partitë tjera.

“Vetëm parimet – vijat e kuqe nuk ekzistojnë – parimet sa i përket bashkëpunimit eventual. Asgjë tjetër”, tha ai.

Ndërsa Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane tha se secili mandatar që i siguron 60 vota, e ka edhe votën e tij.

“Si deputet i PLE’së, secili mandatar që i siguron 60 e ka edhe votën time, votën për interes të shtetit. Nuk jam bllokues, d.m.th. le t’i siguron secili e të ecim para sepse kjo s’ka kuptim”, tha ai kur u pyet për deklaratën e Memli Krasniqit se ai mund t’i sigurojë 10 vota të pakicave pa Listën Serbe.

Deputetja boshnjake, Duda Balje tha se për zgjidhjen e ngërçit në Kuvend nevojitet vërtetë një marrëveshje “e fortë”.

Ajo tha se LDK ka bërë “një hap konkret” me propozimin për një qeveri të unitetit.

“Po. Është një prej ideve që konkrete. A është e mirë a është e keqe? Është ide dhe është konkrete. Ata e kanë konkretizuar me 15 pika. A janë të realizueshme a nuk janë, është plan. Ishalla edhe këto dy partitë tjera dalin me një plan konkret edhe mbase ne duhet me vendos cili është më mirë. Bile LDK-ja ka bërë një hap konkret”.

Deputetja tha se do të votonte për një qeveri me partitë e ish-opozitës, por përmendi kushtin e saj për krijimin e një komune boshnjake.

“Po. Unë pata një kërkesë konkrete për një komunë boshnjake, dhe unë ndërkohë fola edhe me opozitën për këtë, e cila është kërkesë nacionale, nuk është e imja apo e partisë dhe unë mora si një dritë të gjelbër. Nëse është në gjendje për të folur më konkretisht, po, unë do ta votojë”, tha Balje. /GazetaExpress/