Policia shqiptare ishte pjesë e operacionit ndërkombëtar “Shield”, i koordinuar nga Europol, për goditjen e trafikimit të barnave të falsifikuara dhe të substancave të rrezikshme për shëndetin.
Gjatë periudhës 7-mujore të zhvillimit të këtij operacioni ndërkombëtar, Policia shqiptare bën me dije se ka zhvilluar 6 operacione dhe megaoperacione për goditjen e kontrabandimit të barnave mjekësore.
Gjatë këtyre operacioneve janë vënë në pranga 14 shtetas si dhe janë proceduar penalisht 6 shtetas.
Gjithashtu raportohet se janë sekuestruar medikamente të ndryshme mjekësore, me vlerë mbi 100 000 euro.
Operacioni u zhvillua nga muaji prill deri në muajin tetor të vitit 2022, u drejtua nga Franca, Greqia, Italia dhe Spanja dhe përfshiu policinë dhe autoritetet doganore të 28 vendeve.
Gjatë kësaj kohë janë goditur 59 grupe kriminale dhe janë ndaluar 349 persona të dyshuar ku dhe u sekuestruan sasi të mëdha të barnave të falsifikuara, substanca dopingu, suplemente të paligjshme ushqimore dhe sportive, vaksina të falsifikuara kundër COVID-it, produkte sanitare dhe pajisje mjekësore./Gazeta Express