Një aksion ndërkombëtar anti-drogë është kryer këtë të enjte nga autoritetet shqiptare e italiane, të cilat kanë goditur një grup të strukturuar kriminal që trafikonte lëndë narkotike nga Ekuadori e më tutje në Shqipëri, Itali, Spanjë, Holandë e Dubai.
Në pranga ka rënë dhe një ndër krerët e bandës. Fjala është për Denis Matoshin, i njohur ndryshe si Eldi Dizdari. Ky i fundit është arrestuar në Dubai për llogari të drejtësisë shqiptare.
Ndërkohë Policia e Shqipërisë ka dhënë detaje në lidhje me operacionin ndërkombëtar i koduar ‘Los Blancos’, ku ra në pranga dhe një ndër krerët e kartelit shqiptar të drogës, Eldi Dizdari.
Policia njoftoi se në territorin shqiptar kanë rënë në pranga 5 shtetas të cilët do të ekstradohen në Itali. Hetimi mes disa shteteve ka nisur që në vitin 2015 dhe këtë të enjte është konkluduar me arrestimin e dhjetëra personave.
Policia shqiptare jep detaje dhe për kompaninë ‘Bello’, që sipas saj ka kryer importimin e ngarkesave të drogës. Sipas policisë në 5 vite janë importuar nga Amerika Latine 4 ton kokainë.
“Nga hetimet ka rezultuar se një shtetas shqiptar drejtonte një kompani të quajtur “KOMPANIA BELLO”, që merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën. Hetimet kanë nisur në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi pesë milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 tonë kokainë që janë kapur dhe sekuestruar nga Policia.‘-njoftoi policia shqiptare.
Media italiane ndërkohë ka shkruar se janë kryer dhjetëra arrestime dhe janë sekuestruar miliona euro kokainë. Në operacion janë përfshirë Eurojust, Europol, Anti-Mafia dhe Drejtoria Qëndrore e Policisë Kriminale.
NJOFTIMI I PLOTE I POLICISE:
Policia e Shtetit
Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë, në bashkëpunim me homologët, i koordinuar nga Europol, Eurojust dhe Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor.
Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “LOS BLANCOS”, i shtrirë në disa shtete, si Itali, Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta.
Në Shqipëri operacioni është zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Lezhë, Durrës e Shkodër, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, të Njësisë së Kërkimit “Fast” dhe të Zyrës së Interforcës në Shqipëri.
Si rezultat i operacionit, në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës, janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, 5 të kërkuar, konkretisht:
Në Tiranë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi G. M., 35 vjeç, banues në Tiranë, Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Në Vlorë janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasit E. J., 27 vjeç dhe J. Ll., 31 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Në Durrës është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, shtetasi R. I., 33 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, i caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.
Në Lezhë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi V. L., 40 vjeç, pasi Gjykata e Firences Itali, e ka dënuar me 24 vite burg, për veprën penale “Shkelje e ligjit mbi drogat“.
Gjatë operacionit, Skuadra Mobile e Firences dhe Shërbimi Central Operativ i Policisë, në bashkëpunim me skuadrat e tjera kompetente lëvizëse, organet e policisë të shteteve të Bashkimit Evropian në fjalë dhe Policinë e Shtetit shqiptar, kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 30 shtetas, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Nga hetimet ka rezultuar se një shtetas shqiptar drejtonte një kompani të quajtur “KOMPANIA BELLO”, që merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën.
Hetimet kanë nisur në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi pesë milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 tonë kokainë që janë kapur dhe sekuestruar nga Policia.
Edhe gjatë këtij operacioni mjaft të rëndësishëm, Policia e Shtetit tregoi profesionalizëm në përmbushjen e detyrave gjatë gjithë fazave të operacionit, çka tregon edhe njëherë vendosmërinë dhe seriozitetin e Policisë së Shtetit për të luftuar bashkërisht me homologët, krimin e organizuar dhe terrorizmin.