Ka filluar iniciativa kulturore “Opera në Rrota”, organizuar nga Fondacioni Rame Lahaj, që do të mbahet nga 15 deri më 20 shtator 2024 në disa qytete të Kosovës. Ky projekt synon të sjellë artin e operës më afër brezave të rinj dhe është një mundësi unike për të përhapur kulturën operistike në mbarë vendin tonë.
“Opera në Rrota” do të vizitojë qytetet Istog, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë dhe Prishtinë, duke prezantuar një përzgjedhje të kryeveprave nga periudhat baroke, klasike dhe romantike, me kompozitorë të shquar si Henry Purcell, Wolfgang Amadeus Mozart, Gaetano Donizetti, George Frideric Handel dhe të tjerë.
Projekti është ndërtuar për të frymëzuar dhe edukuar audiencat e reja, duke kultivuar një dashuri të përhershme për muzikën klasike dhe operën. Repertori artistik është përshtatur posaçërisht për të angazhuar dhe emocionuar fëmijët dhe të rinjtë, duke i prezantuar ata me botën magjepsëse të emocioneve universale dhe artit lirik.
Në këtë turne do të performojnë artistë të rinj dhe të talentuar, të shoqëruar nga pianistja Laura Lila, sopranoja Kaltrina Miftari, sopranoja Anita Kerhani, kontratenori Safet Berisha dhe baritoni Harris Bajraktari. Programi gjithashtu përfshin narratoren Uresa Ahmeti dhe aktorin Edon Shileku, të cilët do të ndihmojnë në pasurimin e përvojës artistike për të gjithë pjesëmarrësit.
Lokacionet dhe datat e aktivitetit janë si më poshtë:
Istog, Parku i Qytetit
Pejë, Sheshi Skënderbeu
Gjakovë, Platoja në parkun e madh te qytetit
Mitrovicë, sheshi Adem Jashari
Gjilan, Qendër, Përmendorja “Idriz Seferi”
Prishtinë, Sheshi Skënderbeu
Gjithmonë në orën 20:00