Katër aktet e veprës ‘Carmen’ të kompozitorit francez Georges Bizet do të interpretohen në Prishtinë më 22 dhe 24 korrik, nën organizimin e Operës së Kosovës, në ambientet e AMC Hall.
Opera ‘Carmen’, e adoptuar nga novela e Prosper Mérimée, është një nga veprat më ikonike të muzikës klasike dhe realizmit në operë dhe mbetet një nga kryeveprat më të interpretuara në gjithë botën.
Magjia e kësaj opere që ka pushtuar skenat më prestigjioze të botës, tani për herë të parë në këtë formë madhështore vjen edhe në kryeqytetin e Kosovës. Carmen shfaq historinë e një gruaje të lirë dhe të pavarur dhe lidhjen e saj dashurore, pasionante e destruktive me Don Jose. Opera shkrihet në gërshetimin e dashurisë, pasionit, lirisë, obsesionit dhe tragjedisë.
Carmen përbën një urë lidhëse midis traditës së opéra comique dhe realizmit apo verismo-s, që karakterizoi operën italiane të fundit të shekullit XIX. Muzika e Carmen-it është vlerësuar gjerësisht për brilancën e melodisë, harmonisë, atmosferës dhe orkestracionit, si dhe për mjeshtërinë me të cilën paraqiten emocionet dhe vuajtjet e personazheve.
Premiera luhet të martën me 22 korrik ndërsa repriza të enjten më 24 korrik.
NJOFTIM PËR TË GJITHË KREDITORËT DHE PRONARËT E NDËRMARRJEVE TË VENDOSURA NË PROCESIN E LIKUIDIMIT NGA AGJENCIA KOSOVARE E...