Më 21 maj nga ora 200:00 në Pallatin e Rinisë do të mbahet koncert nga Orkestra e Operës së Kosovës nen drejtimin artistik të dirigjentit, Oleg Arapi dhe nen tingujt e pianos së Lule Elezi. Repertori i mbrëmjes përfshin vepra nga: Donizetti, Beethoven, Chopin, Ponce, Bizet dhe Suppé.
Oleg Arapi- dirigjent
Në vitin 1988, Oleg Arapi përfundoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, dega “Dirigjim”, me rezultate maksimale. Gjatë viteve 2004–2006, kreu me sukses të shkëlqyer studimet e doktoraturës në Konservatorin “Tchaikovsky” të Moskës, në degën “Dirigjim Operistik-Simfonik”. Ka drejtuar koncerte me solistë të njohur shqiptarë si Inva Mula (soprano), Josif Gjipali (tenor), Lule Elezi (pianiste), si dhe me solistë të huaj. Përveç aktivitetit të tij në Shqipëri, ka dirigjuar mbi 200 koncerte në Itali (Avellino, Napoli, Salerno, Brindisi, Vatikan, etj.), si dhe në Dibër të Madhe, Strugë, Prizren, Ferizaj, Sarajevë, në Katedralen Angleze dhe në Qendrën Ndërkombëtare të Muzikës në Moskë, në Kapelën “Glinka” të Shën-Petersburgut etj.
Si dirigjent i ftuar, ka drejtuar orkestra filarmonike në: Poloni (6 koncerte), Moskë (2 koncerte), Dnipro (Ukrainë), Ekuador (2 koncerte me Orkestrën Nacionale në Quito), Pragë, Shenzhen (Kinë), Mendoza (Argjentinë), Kazan, Voronezh, Civitanova (Itali) etj. Repertori i tij përfshin kryevepra të kompozitorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, si dhe opera të njohura: Verdi – La Traviata, Il Trovatore; Bizet – Carmen; Donizetti – Don Pasquale, etj. Më 29 prill 2014, solli në skenë premierën botërore të operës La cartomante nga kompozitori italian Salvatore Valente.
Përshtypje ndërkombëtare nga kritika:
Iwona A. Siedlaczek shkruan në gazetën polake “Lublin Kulturë” (20.02.2011): “Dirigjenti Oleg Arapi mund të quhet Ambasador i Kulturës Muzikore të vendit të tij.”
Pas interpretimit të uverturës nga filmi Liri a vdekje të Kujtim Laros (1947–2004), publiku polak e priti me entuziazëm këtë vepër me tingëllim monumental.
Kompozitori amerikan Alvin Singleton u shpreh pas një koncerti: “Veprat e mia janë interpretuar nga shumë orkestra prestigjioze në botë, por më pëlqeu pa masë mënyra e konceptimit dhe realizimit nga dirigjenti Oleg Arapi me Orkestrën e Harqeve.”
Dirigjenti Oleg Arapi është fitues i shumë çmimeve dhe medaljeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Lule Elezi- piano
E dalluar për lojën e saj të fuqishme aq edhe delikate (Shtëpia Diskografike FCE – Luxembourg), e cilësuar si virtuoze në interpretim (Momag – Austri), vlerësuar për interpretim me shumë zemër të krijimtarisë së kompozitorit Frederic Chopin (Bergedorfer Zeitung – Gjermani), Lule Elezi mësimet e para në piano i mori në moshën 7 vjeçare nga e ëma e saj – mësuese e pianos. Edukimin e ulët dhe të mesëm profesional muzikor e mbaroi në qytetin e Prizrenit, ato universitare në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve.
Lule Elezi ka përfunduar edhe specializimin dy vjeçar në piano, në Akademinë e Arteve të Bukura – Tiranë, në klasën e prof. Anita Tartari.
Studimet dyvjeçare të magjistraturës për piano i përfundoi në Akademinë e Muzikës – Sarajevë në klasën e prof. Svetlana Chlaidze (Gjeorgji).
Lule Elezi performon si soliste, shoqëruese në piano dhe në ansamble kamertale.
Ka mbajtur koncerte solistike në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi, Kroaci, Slloveni, Bosnjë e Hercegovinë, Turqi, Gjermani, Zvicër, SHBA, Austri, Suedi, Kinë, Rusi, Japoni, Luksemburg, Bullgari, Francë, Itali, Britani e Madhe dhe Poloni.
Lule Elezi vlerësohet për interpretimin e repertorit të periudhës klasike e romantike me fokus e ndjesi të madhe ndaj veprave të kompozitorëve të mëdhenjë të pianos Beethoven, Chopin, Schubert etj.
Në kuadër të aktivitetit të ngjeshur koncertal të Elezit mund të veçojmë këto koncerte: dy koncerte si soliste në piano me Orkestrën Simfonike të RTSH në Tiranë, koncertet solistike në organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare F. Chopin në Vjenë të Austrisë, në Kolegjin Mbretëror të Muzikës në Stockholm të Suedisë ku dhe realizoi master klasë me studentët e këtij kolegji si dhe soliste në piano me Filharmoninë e Kosovës. Vlenë të cilësohet edhe bashkëpunimi me dirigjentët e njohur si: Toshio Yanagisawa (Japoni), Boian Videnoff (Gjermani), Oleg Arapi (Shqipëri) etj..
Vëmendje të madhe në aktivitetin e saj interpretues tërhoqi edhe regjistrimi i CD-së me vepra të njohura të kompozitorëve botëror L. van Beethoven dhe F. Chopin në “Mozart Hause” në Vjenë.
Aktualisht, Lule Elezi është duke punuar si Profesor i rregullt në lëndën Piano, në Fakultetin e Arteve – Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.